Libri i Transparencës del pas 15 gushtit
Dy javë pas nisjes së procesit të llogaritjes së pikëve për secilin kandidat që ka aplikuar për në universitet, MASH do të shpallë formularin e korrigjimit të pasaktësive si dhe Librin e Transparencës. Libri i Transparencës ka formën e një regjistri kombëtar dhe përmban të renditur sipas rrethit dhe shkollës, të gjithë kandidatët për në institucionet publike të arsimit të lartë. Në këtë libër paraqiten notat e përshkallëzuara për katër provimet e Maturës, mesatarja e shkollës së mesme dhe rezultatet e kalkuluara me koeficientet përkatës të çdo kandidati, për secilën nga 10 preferencat. Çdo kandidat për shkollë të lartë duhet të ketë bërë tashmë llogaritjet e pikëve të grumbulluara nga ai për secilën nga 10 preferencat e përzgjedhura. Këtë llogaritje bën edhe Agjencia Kombëtare e Provimeve (AKP) dhe i boton pikët në Librin e Transparencës. Maturanti-kandidat, në bazë të të dhënave të afishuara në shkollën e tij duhet të bëjë krahasimin dhe nëse verifikon një mospërputhje të të dhënave personale dhe të pikëve të llogaritura nga ai, krahasuar me të dhënat e Librit, duhet të plotësojë formularin e korrigjimit të pasaktësive. Formulari depozitohet në shkollë, dhe shkolla ia dërgon më pas drejtorisë arsimore përkatëse, ndërsa kjo e fundit ia dërgon AKP. Pasi të bëhen të gjitha verifikimet dhe të përcillen pasaktësitë e mundshme, MASH do të nxjerrë, në përputhje me udhëzimet përkatëse, renditjet e maturantëve për në shkollat e larta.