E Shtunë, 31 Tetor 2026

Part-time, plotësohen kuotat në dy ditë

Nga Esmeralda Keta
Në të gjitha degët e Universitetit të Tiranës dhe atij Bujqësor ka pasur fluks kërkesash, ndërkohë që afati i fundit i regjistrimeve është 14 dhjetori. Në sistemin part-time do kualifikohen 3045 kandidatë. 

TIRANE- Kuotat e sistemit part-time janë mbushur që në dy ditët e para të regjistrimeve. Në të gjitha degët e Universitetit të Tiranës dhe atij Bujqësor ka pasur fluks kërkesash, ndërkohë që afati i fundit i regjistrimeve është data 14 dhjetor 2008. Duket se e ka rritur interesin për këtë sistem studimesh, jo vetëm fakti se ata nuk u hapën vitin e kaluar, por një numër shumë të madh përbëjnë edhe ata kandidatë që ngelën në provimet e maturës, dhe mundën të kualifikohen vetëm gjatë sezonit të dytë. Në sistemin part-time do të mund të kualifikohen 3045 kandidatë.
Fluks regjistrimesh
Sekretaritë e të gjitha degëve ku janë miratuar kuota në sistemin part-time vazhdojnë të presin një numër të madh aplikantësh që regjistrohen. Kjo ka bërë që vetëm në dy ditët e para të regjistrimit, të plotësohen kuotat në shumicën e degëve. Kjo ka ndodhur për të gjitha degët e universitetit të Tiranës, ndërkohë që i njëjti fenomen është vënë re edhe në Universitetin Bujqësor të Kamzës, ku degët ekonomike janë pothuaj të plotësuara. Ky fluks regjistrimesh do të bëjë që gara midis kandidatëve pretendentë të jetë më e fortë. Në të gjitha ata raste kur kërkesat janë më të mëdha se kuotat, kandidatët do t'i nënështrohen provimeve, ndërsa atje ku ka më pak kërkesa se sa kuota do të mund të kualifikohen të gjithë. Shkak për këtë fluks të madh kërkesash është bërë pezullimi i këtij lloji studimesh për një vit, pasi vitin e kaluar nuk ishte planifikuar sistemi part-time për në shkollat e larta. Ndërkohë që në këtë sistem studimesh janë regjistruar edhe ata kandidatë, të cilët nuk arritën të futen në garë për të nisur një shkollë të lartë me kohë të plotë, pasi ngelën në provimet e Maturës. Pasi i kanë dhënë këto provime në sezonin e dytë, ata mund të garojnë në sistemin part-time. Megjithatë rregjistrimet do të vazhdojnë deri më 14 dhjetor dhe të gjithë maturantët që duan të vazhdojnë studimet në këtë lloj sistemi, mund të paraqiten për të marrë pjesë në garë.
Tarifa të reduktuara
Së bashku me hapjen e procedurave për nisjen e ciklit të sudimeve me kohë të pjesshme janë miratuar edhe tarifat që 3045 studentët do të paguajnë për secilën nga degët ku ata duan të diplomohen. Këto tarifa ndryshojnë jo vetëm në varësi të preferencës që ata kanë, por edhe nga njëri universitet në tjetrin për degë të njëjta. Më i shtrenjti është Drejtësia në fakultetin e Tiranës, me një tarifë shkollimi prej 94 mijë lekësh të reja në vit. Por nëse i krahasojmë me tarifat që janë aplikuar deri më tani, sigurisht që do të vihet re një diferncë mjaft e madhe pasi ulja është shumë e ndjeshme. Kështu këtë vit akademik Drejtësia do të kushtojë plot 56 mijë lekë të reja më lirë, pasi tarifa e shkollimit për këtë degë ka qenë 150 mijë lekë të reja për një vit akademik. Ulje ka pësuar edhe tarifa e shkollimit për fakultetin Ekonomik. Kështu deri më tani ajo ka qenë plot 75 mijë lekë të reja, ndërsa këtë vit akdemik ata që do të vazhdojnë Ekonomikun do të paguajnë 3 mijë lekë më pak, pasi tashmë Ekonomiku kushton 72 800 lekë të reja. Ndërkohë që rritje fare të lehtë kanë pësuar degët e Filologjikut, të cilat nga 50 mijë lekë të reja tashmë kushtojnë 52 mijë lekë të reja. Profilet e tjera kanë mbetur të pandryshuara.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›