Skandali, nuk botohet Fletorja Zyrtare
TIRANE-. Varianti i botuar i kësaj fletoreje mungon prej disa numrash në formën e shtypur, konkretisht nga 168-a deri në numrin 176 të saj (përjashto atë me nr.171 që lidhet me Ligjin e Barnave, që mendohet se pas presioneve të grosistëve të ketë detyruar Ministrin e Drejtësisë, Alibeaj, ta botojë atë). Ndërkohë që varianti elektronik ose afishimi në internet, sipas ligjit nuk mund të ketë efekt juridik veprues. Në nenin 84, pika 3 e Kushtetutës, parashikohet se “Ligji hyn në fuqi me kalimin e jo më pak se 15 ditëve nga botimi i tij në Fletoren Zyrtare”. Po kështu, neni 4 dhe ai 7 i ligjit “Për Qendrën e Publikimeve Zyrtare” sanksionojnë se: “Fletorja Zyrtare botohet rregullisht dy herë në muaj, në çdo 15 ditë, por jo më vonë se 15 ditë nga paraqitja për botim e akteve të parashikuara në shkronjën “a” të nenit 2 të këtij ligji”. Problemi i mungesës së botimit të Fletores Zyrtare ka pezulluar zbatimin e disa ligjeve, për më tepër ka ngrirë punën në disa fusha të rëndësishme, si ekonomi, shëndetësi, politikë. Ligji parashikon që Fletorja Zyrtare botohet më shpesh, ose përpara afatit të programuar, pasi të jetë marrë miratimi i ministrit të Drejtësisë, ose i Këshillit të Qendrës, mbështetur në kërkesën e organit përgjegjës që ka nxjerrë aktin, ose në përmbajtjen e dispozitave të aktit të paraqitur për botim. Fletorja Zyrtare përgatitet dhe kalon për botim me miratimin dhe nën përgjegjësinë e drejtorit të qendrës e në mungesë të tij, nga i autorizuari prej tij. Në Fletoren Zyrtare detyrimisht shënohet data e botimit të saj, në të kundërt publikimi nuk sjell pasojë juridike. Këshilli i Qendrës që ka për kompetencë miratimin dhe kontrollin e drejtimeve të përgjithshme të veprimtarisë dhe planit vjetor, miraton rastet dhe mënyrën e publikimit elektronik të përmbajtjes së Fletores Zyrtare. Këto publikime synojnë njohjen e të interesuarve me përmbajtjen e saj dhe nuk sjellin pasojë juridike. Për pasojë, nga dita që Fletorja Zyrtare nuk është shtypur, pra më 31 tetor 2008, asnjë akt zyrtar, ligj, apo VKM nuk ka hyrë në fuqi. Disa nga ligjet që nuk kanë hyrë në fuqi, si pasojë e mosbotimit të Fletores Zyrtare, janë: Ligji “Për miratimin e buxhetit faktik”, VKM nr. 1430 datë 29.10.2008, Udhëzim i Ministrisë së Financave nr. 26/1, Ligji nr. 10018, për Avokaturën e Shtetit, datë 26 nëntor, figuron e botuar në Fletoren Zyrtare nr. 176 në internet, por nuk rezulton e shtypur apo e shpërndarë. Po kështu, VKM nr. 1523, datë 19.11.2008, për trajtimin e punonjësve që dalin pa punë nga kompania ARMO. Mosbotimi i këtij vendimi në Fletoren Zyrtare sjell për pasojë moskompensimin financiar të punonjësve të ARMO-s. Pra një sërë ligjesh të tjera ende nuk kanë hyrë në fuqi, për sa kohë fletorja nuk botohet, por afishohet.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)