E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Asambleja e Ramës, si plenumet e mbyllura të Enver Hoxhës

“Do ta pësojë sa herë që do ta përvojë ta imitojë atin e tij shpirtëror, sepse të organizosh plenume të mbyllura është jashtë çdo lloj morali të një shoqërie të lirë”.

Kryeministri Sali Berisha e konsideron si një standard të papranueshëm dhe të dhimbshëm bunkerizimin që i bëri Edi Rama mbledhjes së Asamblesë Kombëatre të Partisë Socialiste, dy ditë më parë. Kreu i qeverisë, u shpreh se pamjet e medieve, që ishin të përjashtuara nga punimet e asamblesë, ngjasonin me zhvillimin e një gjyqi sekret dhe se të tilla mbledhje u përkonin plenumeve të Enver Hoxhës, gjatë diktaturës komuniste.

Gjatë mbledhjes së komitetit ndërministror, kryeministri iu referua edhe punimeve të asamblesë socialiste, duke akuzuar kryesocialistin se keqpërdori lirinë e medieve dhe të informimit publik.

“Shpreh kënaqësinë që mediat janë sot të pranishme këtu, sepse kur pashë dje që rrinin në distancë me kamera të ngritura drejt ‘Xibrakut’,  mu duk sikur po zhvillohej një gjyq sekret. Ajo pamje ishte jashtëzakonisht e dhimbshme, ishte rasti i parë që hapësira informative ndrydhej dhe burgosej në atë mënyrë. Unë dua të them se nuk ishte në rendin e ditës kjo, por zoti Rama nuk mund të keqpërdorë lirinë në këtë mënyrë. Transparenca ka rregulla. Edhe atëherë kur nuk të pëlqen, duhet ti nënshtrohesh. Ishte e lemerishme pamja se si i ktheu kamerat në një pozicion që një vend i lirë nuk i ka kurrë”, tha kryeministri.

Berisha theksoi se raporti me lirinë është një raport jetik për të gjithë qytetarët, ndërsa shtoi se terri informativ është i papranueshëm për një shoqëri të lirë.

“E imagjinoni që nuk paraqisnin dot as lokalin, sepse u kishte dhënë pozicion të atillë që objektivat nuk shkon dot as deri tek lokali. Mua mu kujtuan romanet që kam lexuar dikur për shpellat e kockave, por kjo nuk ishte e tillë. Aty ishin burra, gra, djem dhe vajza, të cilët i mbyllën kundër çdo jashtë lloj standardi, ndonëse edhe ata votuan për të mos pasur kamera të pranishme, edhe ata votuan kundër vetes së tyre. Çfarë ishte kjo? Absolutisht, duhet të kërkojë të falur publikisht. Partinë Socialiste nuk e ka plaçkë të vetën. Ata janë politikanë dhe deputetë. Enveri i merrte në këtë mënyrë. Por, pikërisht se bën ato imitime pësoi atë që pësoi. Dhe unë ju garantoj se do ta pësojë sa herë që do ta përvojë ta imitojë, sepse të organizosh plenume të mbyllura është jashtë çdo lloj morali të një shoqërie të lirë. Kjo do të thotë të kesh frikë nga vetja jote, të jesh frikacak”, nënvizoi kryeministri Berisha.

Mbledhjen e asamblesë kombëtare, kryeministri Sali Berisha e cilësoi si një ditë të zezë për Partinë Socialiste, ndërsa shtoi se nga kjo skenë nuk mungoi as Don Gramozi, me pamjen e një njeriu që dilte nga shpella.

“Dje ishte një ditë e zezë për Partinë Socialiste, por edhe për vendin, kur lideri i një partie kryesore kujton se mund të veprojë në këtë mënyrë. Lerë, që nxori edhe Don Gramozin, sikur nuk kishte tjetër. E vutë re, sikur dilte nga një shpellë dhe jo nga një sallë. I zhduku këto Armelat, e të tjerat”, shtoi më tej kreu i qeverisë, Berisha, duke reaguar ashpër ndaj bunkerizimit të asamblesë dhe territ informativ që Edvini dhe hispanikët socialistë iu servirën shqiptarëve gjatë gjithë ditës së martë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›