“Partia Nemelazëm” e ndan sot shapin nga sheqeri
Nga Beqir Ajazi
Kalorës i Urdhrit të Meritës i Republikës së Francës
Njëzet e sa vjet më parë, kur Gjermania guxoi e para që të çohej kundër tiranisë sllavo-komuniste dhe e zhbiu duke e zgërlaqur atë shëmtirë të historisë që ka kaluar në histori me emrin “Muri i Berlinit”. Rropama e kësaj shembjeje sosi dhe në vendin tonë dhe i çeli Shqipërisë shtegun e demokracisë pluraliste.
Me këtë rast, të gjithë shqiptarët një mendje, rrëzuan bustin e mashtrimit dhe gënjeshtrës, të ngritur prej tij në monument m’u në qendër të Tiranës.
Në këtë situatë kritike, Partia e Punës u bind se i kishte ardhur ngordhja dhe, duke ndjekur skemën e Gorbaçovit, edhe ajo u detyrua të bënte gjoja sikur po rinovohej e po ndryshohej fare. Kjo nuk ishte tjetër veçse një manovër e fundit për të siguruar mbijetesën e saj, edhe në një epokë pluraliste.
Magët e komunizmit, duke u dridhur nga ethet e Çausheskut, u nxituan furishëm dhe krijuar mes bijve të tyre që iu ndodhën atëherë pranë Partinë Demokratike, duke vënë në krye të saj një mjek të shkëlqyer e premtues. Për vete të tyre ata veçse lëvizën pak vithet nga ku nxorën një tymnaje rozë, kurse emrin e ndryshuan në Socialistë, pas këtyre dy ndryshimeve të vogla, ata e mbushën repertorin me plot partiçka të vockla si Social-demokratike e ku ta di unë se sa të tjera që kishte repertori i partive politike.
Mirëpo, magët e Partisë, me Ramiz Alinë në krye u gabuan rëndë në caktimin e kryetarëve që u caktuan këtyre partive që sapo krijuan.
Partia Komuniste që erdhi në pushtet në fund të luftës ishte një parti shtet dhe nga ato më gjakataret dhe më virulentet. Larg saj apo kundër saj njeriu i kishte të gjitha dyert e jetës të mbyllura me dry të Pertinës.
Miladin Popoviç që e drejtonte politikisht dhe ushtarakisht partinë komuniste, as që e çante kokën fare asokohe se kjo parti gjoja komuniste nuk i kishte veçse disa intelektualë të dështuar e të stërdështuar, ky serb e bir serbi, as që bëhej merak fare se nuk kishte kuadro të mjaftueshëm për të formuar shtetin komunist të Shqipërisë. Ky kishte ftuar një grup serbësh që i quante këshilltarë, kurse ata të dorës së dytë, ky i merrte nga dhitës dhe i bënte zabitë.
Kështu ishte endur jeta e Partisë së ashtuquajtur shqiptare, mes frikës dhe lypjes, deri sa më në fund u pa qartë se kishte marrë fund, se kjo i kishte tradhtuar edhe patronët e vet, se Enver Hoxha dhe oborri i tij, ishin aq numerikë sa ç’kanë qenë dikur dhe ata të oborrit të Luigjit XIV, të cilët ashtu posi derrat përpinin dhe kullufisnin të gjitha ndihmat që u jepte nëna parti si dhe ato që quheshin parti motra.
Partia Komuniste Shqiptare (që të tillë kishin veç emrin) në furinë e madhe e paranojake që të krijonte klasën e saj proletare, ajo shkonte e zgjidhte ata më lëngaraqët e shoqërisë dhe i dërgonte ndër shkolla. Në nxitimin e vet për të krijuar sa më parë kuadrot e saj, Partia e masivizoi shkollën në mënyrë të pa parë kurrë ndonjëherë. Ndër shkolla hynin shtatë e diplomoheshin tetë. Ata të përgatiturit e vërtetë, o ishin kundra dhe ishin dënuar, ose konsideroheshin si frymë e vjetër. Liberalizimi i hatashëm i shkollave solli vërtet një fluks të paparë të diplomuarish të pa aftë, po Partia e dinte se ajo kot nuk e kishte krijuar Institutin Marksist-Leninist, njerëzit me të cilët me anë të leksioneve dhe të seminareve të vazhdueshëm sigurisht që do t’i pajiste këta të diplomuar me dituritë e duhura me anë të një indoktrinomi të sforcuar.
Shkollaret e Partisë Komuniste Shqiptare, duke marrë këto mësime shpëtimtare përgatiteshin që të gjithë me marksisëm-leninizëm. Po këta profesorë marksistë pandehnin se njerëzit ishin posi ato simitet që njeriu i fut në furrë dhe i qet s’andejmi simite e vetëm simite. Këta profesorë, harronin e njeriu është një organizëm fare i panjohur dhe kështu nga këta nxënës të indoktrinuar, një palë i merrnin sit ë vërteta postulate, i përvetësonin dhe i bënin pjesë të intelektit të tyre. Mirëpo pjesa tjetër, që kishin hyrë në shkollë sa për të mësuar diçka që ata e merrnin mësimet nga zori, ashtu si merret ilaçi i hidhur për t’u shëruar nga malaria.
Këta nxënës që i ishin afruar Partisë vetëm nga zori e nga e keqja vërtet që i mësonin mësimet, po nuk dashuroheshin pas tyre. Këta e përdornin këtë zell të shtirë vetëm sa për t’u diplomuar dhe pastaj i flaknin nga mendja posi të ishin këto do lecka të vjetra si zhele.
Partia Komuniste sado një numër të stërmadh spiunësh që kishte në shërbim të saj, për të zbuluar se cili shkollar i saj ishte komunist leninist i vërtetë dhe i përkushtuar e cili jo. Këtë ajo nuk ishte në gjendje që ta mësonte kurrsesi.
Kështu që, kur këto parti fiktive të krijuara për të mashtruar opinionin e brendshëm si dhe atë të jashtëm se gjoja edhe në Shqipëri ekzistonin parti të pluralizmit demokratik, doli se ata që i kishin mësuar leksionet marksiste vetëm sa për të kaluar klasën e asgjë më tepër, u turrën t’i ngjiteshin rrodhe Partisë Demokratike.
Më vonë koha dhe rrethanat provuan në mënyrë të padiskutueshme se ata që kishin qenë gabuar, duke hyrë atje ku nuk u përkiste, e lanë Partinë Demokratike dhe shkuan atje ku u dhembte shpirti për të. Po ky fenomen u has dhe në anën e kundërt ku njerëz që në fillim ishin të Partisë Socialiste, dezertuan për një arsye apo dhe një tjetër e shkuan e gjetën vendin që u përkiste shpirtërisht atyre.
Po vitet dhe zgjedhjet e shumta që janë zhvilluar në vendin tonë kanë treguar katërcipërisht se të djathtët dhe të majtët në vendin tonë kanë një sasi numerike gati se të barabartë dhe me ndryshime sasiore fare të papërfillshme njëra nga tjetra.
Kështu, vihet re se po bëhen vite që fiton e djathta po me një deputet më tepër nga e majta apo ndodh edhe e kundërta.
Në këtë kuptim, nevoja historike që ka vendi jonë sot për votat e partisë “Nemelazëm” është shumë e ndjeshme. Kjo votë do ta pajisi partinë që ajo simpatizon me një epërsi numerike të ndjeshme çka do të thotë që këta të Partisë Nemelazëm do ta bëjnë partinë që votojnë një mazhorancë të vërtetë, duke mos e patur opozitën vetëm pas thembrës së këmbëve të saj. Me fjalë të tjera i ka ardhur çasti historik kur populli shqiptar i shqiptarizmës, do t’i falet nderës për jetë Partisë Nemelazëm, për votat që i kanë dhënë në këtë çast kaq kritik.
Me sa di unë shumica e atyre që quhen “Partia Nemelazëm” janë shqiptarë dhe vetëm e vetëm shqiptarë. Dhe këta votues të rinj sigurisht që do ta ndjejnë se cilës parti nga të dy të mëdhatë i vjen era më shqiptarizëm nga tjetra. Asaj pra ky le t’ia japë votën më datë 23. E ndjej që tani se data 23 qershor 2013 do të bëhet një datë e madhe përkujtimore se “Partia Nemelazëm” qe ajo që e bëri me votën e saj njërën nga të dyja parti me të vërtetë të mazhorancës.
Dhe atdheu do t’ua dijë për nder këtyre zotërinjve të cilët, sado që vonë e ndanë një herë e mirë shapin nga sheqeri.