E Diel, 1 Nëntor 2026

Partia Republikane çel fushatën elektorale - Fatmir Mediu: “Lulzim Basha do jetë qytetari i parë i Tiranës”

09-04-2011 / Gazeta 55

Partia Republikane hapi dje fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 8 Majit. PR-ja është pjesë e koalicionit të djathtë “Aleanca për qytetarin”. Partia Republikane ka ftuar në hapjen e fushatës kandidatin djathtë për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha. Kreu i kësaj partie, Fatmir Media, ka deklaruar mbështetjen e plotë të forcës së tij politike, për kandidatin, Lulzim Basha. “Vizioni që ndajmë së bashku, është një Shqipëri dhe Tiranë evropiane. Është një shpresë që buron nga besimi në Zot, se kemi nevojë për një Shqipëri të përparuar dhe me vlera njerëzore”. Këto janë qenë disa nga fjalët me të cilat, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, hapi fushatën elektorale zyrtarisht për zgjedhjet e 8 majit. Sipas tij, nën qeverisjen demokratike u arrit që vendi ynë të anëtarësohej me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe arriti të liberalizojë vizat. “Lulëzim Basha, do të jetë administrator i qëllimeve dhe reformave të mëdha, për t’i dhënë Tiranës dhe qytetarëve të saj, atë që ata meritojnë”, tha më pas Mediu, duke prezantuar kandidatin e Aleancës për Qytetarin, për Bashkinë e Tiranës. Sipas Mediut, Basha do të jetë ai ministër i Brendshëm, i Jashtëm dhe i Transporteve që realizoi reformat e mëdha, duke përmendur këtu edhe realizimin e rrugës së Kombit kur ai mbante postin e fund-përmendur. “Ne kemi shumë punë para për të bërë dhe duhet të vendosim në krye të tyre, njerëz me zemër të madhe dhe vullnet të plotë për t’u shkuar deri në fund atyre, siç është Lulëzim Basha”, tha mes të tjerash Mediu. Duke përfunduar se opozita asnjëherë nuk u ngrit në pozitat e socialistëve të thjeshtë, që mbi të gjitha duan të ardhmen evropiane, prandaj u përpoq të luftonte kundër interesave për anëtarësimin në NATO dhe BE.


Basha: Tirana e pas 8 majit, me 30 mijë vende të reja pune dhe pa 60 taksa e tarifa/Në çeljen e fushatës elektorale të Partisë Republikane mori pjesë dje dhe kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha. Kandidati demokrat në fjalën e tij ka vënë theksin në gjithë problematikën që ka sot qyteti i Tiranës, i cili me ardhjen e tij në krye të Bashkisë do të ndryshojë në shumë drejtime. “Ju falënderoj shumë për ftesën , jam i nderuar që ndodhem mes jush, mes republikanëve. Ju falënderoj për mbështetjen që më jepni në këtë garë. Ne jemi bashkuar si qytetarë të Tiranës, e cila ka nevojë për ne. Ajo që na bashkon sot është Tirana, dhe sot flasim për shqetësime konkrete dhe jo për politikë, flasim për rrugët e pashtruara, për ajrin e ndotur, për taksat e larta, për hapësirat e zëna. Të gjitha këto janë probleme që shtrohen për zgjidhje”- ka theksuar Kandidati Basha. Duke iu referuar kundërshtarit të tij në këtë garë Basha tha se ndryshe nga ai, mendon e flet për të ardhmen. “Rama foli për të shkuarën, unë do të vazhdoj të flas për të ardhmen. Unë kam mbajtur dhe do të mbaj çdo premtim ndaj jush.  Ai fle dhe zgjohet duke menduar se si do të bëhet kryeministër. Unë do të shkoj të fle çdo natë me privilegjin që jam kryebashkiaku juaj. Për mua e para është Tirana, të parët jeni ju. Por sot Tirana është në udhëkryq. Unë dua të ndjek një rrugë për të mirën e Tiranës”, tha Basha. Duke iu referuar problematikës së kryeqytetit ai tha se: “Ne mund të ndërtojmë e duhet të ndërtojmë më shumë parqe, të ulim ndotjen. Ne mund ti japim qytetarëve një zë të fortë në qeverisjen e Tiranës. Do ndjek rrugën e krijimit të vendeve të punës. Ju republikanët në thelb keni pronën, edhe unë në drejtimin e Bashkisë së Tiranës do të vendos respektimin e dhe të drejtën e pronës. Prioritet numër një është hapja e 30 mijë vendeve reja të punës dhe ky s;është premtim elektoral. Zemra e Tiranës është biznesi i vogël dhe i mesëm unë do të heq 60 taksa. Turizmi i zhvilluar për Tiranë nesër do të jetë një realitet. Për mua e para është Tirana, të parët jeni ju”- ka theksuar në fjalën e tij kandidati për kryetar Bashkie të Tiranës, Lulzim Basha.  

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›