E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet me banorë të komunitetit rom në Shkozet

09-04-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një takim me banorë të komunitetit rom në Shkozet, në qarkun e Durrësit, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve. Pasi i uroi këtë ditë, Kryeministri Berisha prezantoi edhe fazën e parë të projektit për ndërtimin e banesave sociale për komunitetin rom në zonën e Shkozetit. Projekti, i cili do të shtrihet në një sipërfaqe prej 4 mijë metrash, krahas banesave përfshin edhe ambiente të tjera në funksion të tyre, si qendër shëndetësore, kopsht për fëmijët dhe ambiente të tjera sociale.
“Qeveria shqiptare, - u shpreh Kryeministri, - do të bëjë përpjekje të pandërprera për të mbështetur komunitetin rom dhe për të zhdukur gjithnjë e më shumë pasojat e rënda të diskriminimit shekullor të pamerituar ndaj këtij komuniteti”. “Ju garantoj se qeveria do të mobilizojë të gjitha potencialet e saj që ju çdo vit të ndjeheni më mirë në këtë vend, të jetoni si qytetarë të barabartë para ligjit. Dua t’ju garantoj se në të gjitha problemet që kanë të bëjnë me ju, Kryeministri dhe qeveria do të qëndrojnë në anën tuaj”- u shpreh Berisha. Kryeministrin përshëndeti deputetin Eduard Halimi, prefektin e qarkut si dhe kandidatin demokrat për Durrësin, Ferdinand Xhaferaj, për të cilin siç u shpreh Berisha do jetë dhe kryetari i ri i Bashkisë, i cili do përkujdeset në mënyrë të veçantë për komunistin rom. “Unë sot kam një përgëzim të veçantë për zotin Eduard Halimi, deputetët e tjerë të qarkut të Durrësit, për Prefektin e këtij qarku, për angazhimin e tyre në mbështetje të komunitetit tuaj. Për mua dhe për ju është një kënaqësi e veçantë që ne të festojmë sot ditën tuaj me një projekt jetik për ju, me një projekt në të cilin deputeti juaj Eduard Halimi dhe një ekip specialistësh ndër më të mirët, ndër ta edhe këshilltarë të mi, kanë punuar me përkushtim të madh e kanë krijuar një nga zonat më moderne të banimit, ndërtimin e 100 apartamente të banimit për familjet rome dhe së bashku me to të qendrës shëndetësore, të shkollës dhe të të gjitha shërbimeve që ju meritoni. Jam këtu për t’u zotuar para jush se do të bëj gjithçka që ky model i mrekullueshëm të merret e të aplikohet në çdo qytet të madh të Shqipërisë. Ju garantoj se kam mbështetur e do të mbështes fuqishëm projekte të tilla dhe dua gjithashtu t’ju njoh se në ndërtimet e financuara nga qeveria në disa rrethe të vendit destinacioni kryesor kanë qenë romët dhe familjet rome për strehim. Kam kënaqësi të konstatoj se zhvillime të qarta pozitive ka në drejtim të shkollimit tuaj, por ju ftoj që bashkërisht të bëjmë përpjekjet më të mëdha që fëmijët tuaj të mrekullueshëm të shkollohen njëlloj si fëmijët e familjeve tjera jo rome. Sikundër ju garantoj se vitin e ardhshëm, në shkollat ku ju jeni në numër të konsiderueshëm, qeveria do të vendosë një vakt ushqimi për fëmijët. Ne kemi një projekt të regjistrimit dhe pajisjes suaj me dokumente. Të nderuar drejtues të shoqatave dhe udhëheqës të komunitetit rom, do të kërkoja mirëkuptimin tuaj që të na e mbështesnit këtë projekt, sepse pajisja juaj me dokumente si të gjithë qytetaret e tjerë është hapi i parë i madh drejt sigurisë suaj, është jashtëzakonisht i rëndësishëm që qeveria të mund t’ju ndihmojë më shumë, që qeveria të marrë të gjitha masat për një mbështetje tuaj më efiçente” - garantoi kryeministri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›