E Shtunë, 31 Tetor 2026

Roshi: Procesi zgjedhor i arriti standardet e kërkuara

Kryetari i Partisë Balli Kombëtar, Artur Roshi, deklaroi se procesi zgjedhor arriti të kurorëzohet me sukses si dhe të përmbushë standardet e kërkuara. Roshi deklaroi se procesi zgjedhor në përgjithësi u kurorëzua me sukses, duke shënuar hapa pozitive në mënyrën sesi janë konceptuar gjërat, dhe në mënyrën sesi qytetarët kanë shkuar për të votuar, duke maturuar qëndrimin e tyre dhe larguar si rrallë herë tjetër konfliktet nga zgjedhjet. Gjatë këtyre zgjedhjeve pamë se u larguan paragjykimet dhe u la mendimi zyrtar i KQZ-së dhe partitë politike për herë të parë nuk dhanë rezultatet nga selitë repektive, theksoi Roshi. Sipas tij, KQZ ka vepruar me maturi, konform procedurave dhe konform ligjit, pavarësisht se ndonjë forcë politike nuk ka durimin e duhur për t'u përballur me procedurat ligjor. Ndër të tjera duke u ndalur te Kodi Zgjedhor, kreu ai tha se kodit zgjedhor i duhen bërë disa ndryshime. Sipas Roshit ky kod zgjedhor duhet të sjellë në skenën politike garën brenda partive politike, si dhe garën e kandidatëve brenda partive politike. Ajo që duhet përmirësuar, është edhe numërimi i votave, e cila duhet të bëhet në mënyrë elektronike dhe jo si numërimet që janë bërë deri më sot, deklaroi roshi. Ndërsa theksoi se PBK nuk është e kënaqur nga rezultatet e këtyre zgjedhjeve, sipas tij rezultatet e ardhura nuk varen nga puna e partisë apo nga njerëzit që e përkrahin PBK, por varet nga sistemi. Roshi, tha se PBK, do të vazhdojë të jetë prezent dhe aktive në jetën politike shqiptare, pasi sipas tij, nuk janë numrat apo statistikat ato që përfaqësojnë një parti, por bindjet që i mbajnë në këmbë partitë politike dhe njerëzit që i mbështesin. Ne do të jemi prezentë pasi lufta jonë është një luftë që i përket të ardhmes së politikës shqiptare, nuk është një luftë për momentin, dhe këtë betejë politike nuk kemi pse ta quajmë të humbur, por ishte një eksperiencë, pasi ne do të fitojmë beteja të tjera politike", u shprehe Roshi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›