Rado: Duhet të ketë më shumë pavarësi në sistemin e drejtësisë në Shqipëri
Përfaqësuesi i, shoqatës së gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese, Klodian Rado deklaroi se sistemi gjyqësor do të jetë kryefjala në parlamentin e ardhshëm. Rado tha se është e nevojshme që në sistemin gjyqësor të ndërmerren reforma. Ai tha se ligji i parë që duhet të shqyrtohet në parlamentin e ardhshëm është ligji që është i lidhur me Shoqatën Kombëtare të Gjyqtarëve.
Ndërsa duke folur për tre shtyllat e sistemit gjyqësor në Shqipëri, ai deklaroi se pavarësia organizative e sistemit gjyqësor në drejtësi është gjysmë e konsoliduar, ndërsa pavarësia funksionale sipas tij ka akoma nevojë për tu rregulluar pasi nuk ka arritur akoma as gjysmën e tij. Kurse për pavarësinë financiare, Rado, tha se sistemi gjyqësor në këtë drejtim nuk e kalon klasën. Gjithashtu lidhur me dekretimin e ligjit nga presidenti i Republikës, Bamir Topi, për krijimin e seksioneve penale për të miturit në disa gjykata të vendit, Rado theksoi se ky ligj do të garantojë akoma dhe më shumë mbrojtjen e të miturve. Shqipëria duhet të ketë me patjetër një sistem rehabilitimi për të mitur pasi ka një projekt për ta ngritur në Pogradec por akoma nuk është zbatuar, deklaroi Rado. Sipas tij sistemi i drejtësisë në Shqipëri ka nevojë për më shumë pavarësi.