E Diel, 1 Nëntor 2026

Partia Socialiste nje parti pa histori ...

Partia Socialiste festoi 20-vjetorin e krijimit të saj në një klimë të ashpër politike

Lajmi në këtë përvjetor, nuk është konflikti politik i gjeneruar që prej humbjes së kësaj force politike në zgjedhjet politike të 28 qershorit 2009 dhe dështimi i saj dhe në mënyrë të veçantë të kreut të saj Edi Rama, në zgjedhjet lokale të 8 Majit.

Lajmet janë tre: dështimet e njëpasnjëshme të socialistëve, më saktë e lidershipit të saj përgjatë viteve të fundit, mungesa në festën e 20 vjetorit të kësaj force politike të Fatos Nanos, drejtuesit të parë dhe mbajtësit të peshës së të qënit lideri historik i socialistëve, si dhe mungesa e historisë së kësaj partie, në faqen zyrtare në internet www.ps.al.

Konflikti dhe më pas divorci përfundimtar, i kryetarit aktual i Partisë Socialiste Edi Rama, nuk ishte thjesht dhe vetëm personal me Fatos Nanon.

Rama ndoqi një strategji të qartë për mënjanimin nga strukturat organizative dhe hierarkinë e partisë, të personaliteteve të partisë, të cilët mendonin krejtësisht ndryshe.

Përmes manovrave dhe presioneve, Rama arriti të largojë, vetëm fizikisht Nanon nga partia.

Të njëjtën gjë bëri me të tjetër themelues të kësaj partie si Ylli Bufin dhe Moikom Zeqon.

Ka larguar nga detyrat dhe përgjegjësitë partiake Kastriot Islamin, Ben Blushin, Andis Harasanin.

Por edhe Musa Ulqinin, Rajmonda Stefën, Ilir Zelën, Bardhyl Agasin.

Duke ndjekur një strategji të kopsitur mire në mendje, ndoshta tek zyra e “Fabrikës së Ideve”, që gjendet në katin e dytë të selisë rozë, Edi Rama arriti të mënjanojë edhe ish-Presidentin e Republikës Rexhep Mejdanin dhe ish-kreun e Kuvendit Servet Pëllumbi.

Të gjithë këta njerëz kanë mbështetur Edi Ramën që në nisjen e karrierës së tij politike.

Por faji i tyre ishte se me kalimin e kohës nisën të shihnin anën tjetër të Ramës dhe ta kritikonin atë.

Gjë që nuk i pëlqeu kryetarit të ardhshëm të socialistëve.

Rama ndërmori një lëvizje politike brenda partisë duke ndarë njerëzit, ata të xhaketave të vjetra dhe ata të xhaketave me ngjyra ylberi.

Edi Rama erdhi në krye të Partisë Socialiste duke thirrur për bashkimin e të majtës.

Por, kjo shumë shpejt u kthye në demagogji, pasi bëri çmos për të larguar nga aleanca Lëvizjen Socialiste për Integrim të Ilir Metës, një forcë politike me shumë peshë në elektorat.

Edi Rama ndryshoi tërësisht profilin e socialistëve.

Por, votuesi socialist në thelbin e tij është konservator dhe mungesa e një pike të vërtete referimi, siç ishte Fatos Nano, solli rrënimin e Partisë Socialiste, jo vetëm si faktor opozitar, por si një vlerë e pluralizmit politik shqiptar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›