E Diel, 1 Nëntor 2026

Komunizëm i tipit „paria” - “Stalinizmi për çdo stinë” në gjuhën shqipe

16-03-2012 / Nga Vladimir Tismaneanu

Gjatë viteve, kam vënë re ngjashmëri të habitshme në mes të dy regjimeve komuniste të tipit "paria", të shqiptarëve dhe rumunëve. Pavarësisht dallimeve të shumta, çaushizmi dhe enverizmi kanë pasur shumë elemente të përbashkëta, njëlloj si dhe të periudhës së tranzicionit demokratik, me shpresat dhe zhgënjimet e tyre.
Bëj pjesë në atë klub të vogël intelektualësh ndërkombëtarë, (shkrimtarë, politologë, filozofë, historianë) për të cilët përvoja e Shqipërisë në shekullin e XX është tejet domethënëse, për sa i përket totalitarizmit, represionit dhe strategjive të rezistencës. Kur them klub, është fjala, natyrisht, për një metaforë. Kam parasysh p.sh. la Noel Malcolm, Misha Glenny-n, Andrei Pippidi-n, Paul Hollander-in. Kam shkruar një kapitull për stalinizmin kombëtar në një punim kolektiv koordinuar nga historiani Dan Stone, i cili do të botohet këtë vit në Oxford University Press.
Kam shkruar parathënien e librit "Zonja e zezë Nexhmije Hoxha” të Fahri Balliut, biografi e Nexhmije Hoxhës, e veja e despotit shqiptar, botuar në vitin 2009 në Shtëpinë Botuese “Humanitas”, në koleksionin "histori bashkëkohore". Kam shkruar për romanin “Pasardhësi” të  Ismail Kadaresë, botuar në Shtëpinë Botuese Polirom.
Isha në Budapest në vitin 1997, së bashku me Andreas dhe Catrinel Plesu, kur takova shkrimtarin Fatos Lubonja, një nga disidentët e atij regjimi monstruoz, i burgosur për vite për idetë e tij. Kam qenë mik me Gramoz Pashkon, ekonomist dhe politikan demokrat, i cili vdiq në vitin 2006 në një aksident absurd me helikopter.
Kush lexon romanin e Kadaresë përkthyer në frëngjisht me titullin "Le Grand Hiver" do të vërë re sesi liderët në Tiranë dhe Bukuresht kanë përdorur anti-hrushovizmin dhe antisovjetizimin, për të ruajtur stalinizmin e brendshëm të paprekur dhe për të penguar çdo përpjekje për reforma. Në vitet 1960, Enver Hoxha e shihte veten si ringjallja e Skënderbeut. Për pesë vjet, në Bukuresht, Çaushesku e imagjinonte, me mbështetjen entuziaste të disave si Bodnaras, Maurer dhe Nikulescuu-Mizil, rimishërimin e Burebista-s, të Decebal-it dhe të Mihal Trimit. Koncepti i pariah communism (komunizmit të tipit paria), i sunduar nga kompleksi i inferioritetit, është bërë i njohur si koncept nga profesori Ken Jowitt. Në shkrimet e mia, jam përpjekur për ta aplikuar për ta zhvilluar atë.
Analogjitë, reale, nuk duhet të absolutizohen: Rumania komuniste nuk e ndaloi fenë me kushtetutë, ashtu siç veproi Shqipëria enveriste. Nuk u imponua një autarki e përgjithshme, nuk u prishën, madje në një kohë u kultivuan lidhjet me Perëndimin (sigurisht, jo në plan personal). Rumania vazhdoi të bëjë pjesë, deri në fund, në Traktatin e Varshavës dhe në CMEA. Enver Hoxha përçmonte Çausheskun dhe, ndoshta, ndjenja e përçmimit ishte reciproke. Enveri la pasardhës të tij Ramiz Alinë, nuk shkoi në rrugën e komunizmit dinastik. Kur e kam fjalën për stalinizmin kombëtar, flas për një tip ideali, në kuptimin weberian. Po ashtu si Elena Çaushesku kishte luajtur, pas vitit 1974, rolin e numrit dy të partisë dhe shtetit, Nexhije Hoxha ndikoi në mënyrë vendimtare në opsionet politike të diktatorit shqiptar. Nuk ka pasur funksionet e Elenës, por ka pasur një pushtet që nuk ia ndalte askush dhe askurrë.
Prej vitesh ëndërroj të mbërrij në Tiranë. Do ta bëj në muajt që vijnë, shpresoj. Me rastin e botimit në shqip të librit tim «Stalinizëm për çdo stinë». Një histori politike e komunizmit rumun, në Shtëpinë Botuese prestigjioze “55”, në përkthimin e Edion Petritit, ku janë botuar përpos të tjerash, librat e historianit tim të preferuar, Simon Sebag Montefiore. Është fjala për përkthimin e edicionit origjinal, në anglisht, botuar më 2003 në University of California Press.
E falënderoj Fahri Balliun, romancierin e shquar, historianin dhe gazetarin shqiptar, për iniciativën e botimit të librit, si dhe, para një viti, të vëllimit tim “Për 1989. Fundosja e utopisë” It goes without saying, siç i thonë fjalës, që asnjë institucion i shtetit rumun nuk ka kontribuar në botimin e librave të mi në Shqipëri.

* PÁRIA  (Në Indi) Person që gjendet jashtë kastës dhe që nuk gëzon asnjë të drejtë. Person apo kolektivitet i shpërfillur dhe i dekonsideruar.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›