Partia e Fortë bëhet serioze, kërkon simbolet

Për dallim prej paraqitjeve dhe deklaratave të tjera publike që kanë qenë ironike, këtë herë Partia e Fortë kanë qënë seriozë në kërkesën e tyre. Përmes një letreje publike kjo parti kërkon kthimin e simboleve, ose në të kundërtën do të tërhiqen nga gara zgjedhore.
Partia e Fortë ka vendosur që të kushtëzojë pjesmarrjen në zgjedhjet e 3 nëntorit me ndryshim brenda 48 orëve të ardhshme të vendimit për dizajn të fletëvotimeve. Reagimi vjen pas largimit të stemës së Republikës së Kosovës nga fletëvotimet e 3 nëntorit si rezultat i kushtëzimit nga ana e kryeministrit serb Daçiq në negociatat e Brukselit.
Për këtë shkak Kryesia e Nënkryetarëve të Partisë së Fortë ka vendosur të tërhiqet nga gara për zgjedhjet komunale të 3 nëntorit përveç nëse simbolet e shtetit të Kosovës rikthehen në fletëvotime. Sipas kryetarit të këtij subjekti, tërheqja do të ishte akti më normal në një situatë të tillë kur shtetësia ende në formim goditet përmes kushtëzimeve të tilla të paprecedent.
“Do të ishte e udhëz që të tërhiqeshim nga këto zgjedhje për shkak të largimit të stemës nga fletëvotimet. Për momentin vendosëm që pjesmarrjen në zgjedhjet ta kushtëzojmë me rikthim të simboleve të shtetit brenda 48 orëve të ardhshme”, ka thënë kryetari Arifaj.
“Shtetet si Gjermania, Franca, SHBA e kanë të njohur dhe të fuqishëm shtetin e tyre. Në një shtet të tillë fletëvotimet nuk kanë nevojë për stemë të shtetit. Por vendet që sapo janë formuar dhe që ende luftojnë për njohje të reja kanë shumë nevojë ta kenë logon në çdo dokument, letër, flamur, produkt...” ka thënë kryetari Visar Arifaj në takimin e fundit. Sipas tij “simbolet janë shtylla të rëndësishme të një shteti, pa të cilat ai shtet nuk do të kishte kuptim”./Indeksonline/