E Diel, 1 Nëntor 2026

Partia e Merkel humb zgjedhjet lokale në shtetin e Rinit Verior

GJERMANI- Partia CDU e kancelares Angela Merkel ka pësuar një dështim të fortë në zgjedhjet e së dielës në zgjedhjet lokale të shtetit të Rinit Verior të Vestfalise. Sipas rezultateve, social demokratet fituan 38.8 përqind të votave dhe kjo u mundëson atyre të formojnë një koalicion me partinë e gjelbërt, e cila mori 12.2 përqind. Ndërkohë partia e Merkel mori vetëm 25.5 përqind të votave, nga 35 përqind që kishte marrë në vitin 2010. Ky është rezultati më i keq për CDU-në që nga lufta e dytë botërore. 

Zgjedhjet në këtë shtet të rëndësishëm gjerman, në pjesën perëndimore të vendit, me popullsi sa Holanda dhe një ekonomi me përmasat e Turqisë, u mbajtën 18 muaj përpara zgjedhjeve kombëtare në të cilat Merkel kërkon të marrë një mandat të tretë si kancelare e këtij shteti të fuqishëm Europian. 

Merkel vazhdon të jetë një figurë popullore për mënyrën sesi e përballoi krizën në Eurozonë por, humbja në zgjedhjet e djeshme i lëkund ndjeshëm themelet e CDU-së në pushtet. Ky dështim pason atë të presidentit Sarkozi, i cili u mund në zgjedhjet presidenciale nga rivali i tij socialist Fransua Hollande.
(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›