E Diel, 1 Nëntor 2026

Partia e krizave dhe horoskopi i kryetarit Rama

Neveria ka shkuar deri në gabzerr. Sapo shikon në Tv një konferencë për shtyp të Partisë Socialiste të vjen ta kapësh pultin dhe ta flakësh nga dritarja. Arsyeja është e thjeshtë. Dëgjon të njëjtin refren të mësuar përmendsh: “hap kutitë”, përndryshe largohu, sepse gjithçka shndërrohet në krizë. Një barcaletë e re po lind brenda strukturave të PS: çfarë uji i ke dhënë gomarit? Krizë!

Partia e krizave shprehet Rroftë kriza: një aksiomë infantile ku epikriza e panikut merr formën e një çelësi kopil për të marrë pushtetin, formën e një leve Arkimedi moderne për të thënë Eureka në politikë. “Socialistët e shekullit të ri” flasin më shumë për krizën sesa një grup ekologjist flet për shpëtimin e tokës nga ngrohja globale. Opozita e çuditshme edviniane po kërkon të instalojë një imazh sa iluziv aq edhe magnetik midis krizës së kutive dhe asaj ekonomike. Ekziston vakia e një simbioze të frikshme mes konceptit “krizë” dhe parashikimeve astrologjiko-horoskopike të zgjidhjes së saj nëpërmjet protestave. Mjerisht logjika e opozitës është e cekët, sepse mjafton të shohim fqinjin grek, thellësisht në krizë, për të kuptuar se protestat kundër qeverisë jo vetëm që nuk zgjidhin asgjë, por e acarojnë edhe më shumë plagën.

Mirëpo kjo aleancë horoskopike mes krizash ka funksionin e një mbylljeje ndër vete, dhe natyrisht edhe mbajtjen në këmbë të një organizmi politik si Partia Socialiste, që e ka humbur kontaktin me bazën dhe për rrjedhojë edhe me arsyen e me realitetin. Orkestra e opozitës gjëmon paralajmërimet për tragjedi - si pa të keq - në mjetet e komunikimit, duke shtuar dyshimin, frikën e mosbesimin; dhe për rrjedhojë fik dritën e një optimizmi shpëtues. Loja mes krizës ekonomike globale dhe Shqipërisë ka së paku 8 muaj që zhvillohet. Parashikimet sinoptike për kriza të gjithanshme, politike dhe ekonomike, që natyrisht - sipas PS - dilet vetëm nëpërmjet protestave. është fiks sikur i sëmuri cilësohet i shëruar jo prej ilaçeve, por duke i recituar afër veshit “vjershën” protesta.

Ky investim i gabuar i PS po e largon edhe më shumë opozitën nga problemet reale dhe sociale që ka ky vend. Shumica e shqiptarëve nuk u intereson propaganda shkak-pasojë: lidhja me mastic krizës së kutive me krizën ndërkombëtare ekonomike, por natyrisht është më e lehtë të biesh pre e sugjestioneve paraprake të krizës, edhe pa konvulsione të forta. Për një politikë miope është më e lehtë dhe rezultative në planin e efektit elektoral mbajtja e një pozicioni që ushqen “frikën” ndaj institucioneve. Si për ilustrim të kështjellës artificiale të krizës, çdo njeri mund të shkojë të kontrollojë kronologjinë e deklaratave për shtyp të këtyre 8 muajve fushatë permanente elektorale të PS. Aty do të gjendeni të skandalizuar nga reklamimi falas i katastrofizmit ose/dhe në disa raste i nekropolitikës. çdo ditë qytetarët shqiptarë stërviten nga këto industri e shpifjes politiko-mediatike në një pesimizëm apokaliptik.

Shqipëria nuk është në krizë. Përcaktimi i fjalës “krizë” është një moment kulmor, i rëndësishëm, njëfarë udhëkryqi ku gjendet një shoqëri e caktuar. Në këtë mënyrë situata ku është tani Shqipëria është konsekuencë e 45 viteve ekonomi të planifikuar komuniste dhe mentalitetit soc-komunist, produkt i të cilës është janë këto 20 vjet demokraci të “kushtëzuar” kapitaliste. Por natyrisht, situata e sotme nuk përbën ndonjë moment kulmor, të rëndësishëm në planin e frenimit të sistemit ekonomik.

Megjithatë humbja e kontaktit me bazën socialiste u pa qartë në mbështetjen amorfe (77 %) që kjo bazë (në të vërtetë disa krerë lokalë që fiksojnë rezultate sikur të ishin baste sportive) për disa ndryshime në statutin e PS, që ishin krejt propozimet e Edi Ramës, dhe asnjë natyrisht të LMN.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›