Parlamenti Evropian, konsensus politik për heqjen e vizave
Përfaqësues të grupeve parlamentare socialiste, popullore dhe ekologjiste deklaruan dje rekomandimet publike për europarlamentarët, për votimin e propozimit për heqjen e vizave, sapo ai të paraqitet nga Komisioni Evropian, në mes të muajit prill. S’ka asnjë pengesë ose parakusht politik në axhendën e PE-së apo në marrëdhëniet e tij me Shqipërinë
Parlamenti Evropian konfirmon se pavarësisht situatës politike në Shqipëri, shqiptarët do të përfitojnë nga procesi i liberalizimit të vizave. Eurodeputetët Marije Cornelissen, Simon Bussutil dhe Tanja Fajon, të cilët këtë fillim javë vizituan Tiranën në kuadër të një vizite private me në krye Kreun e Delegacionit për Evropën Juglindore, Eduard Kukan, shprehen të impresionuar nga realizimi i kritereve të liberalizimit të vizave dhe garantojnë se situata politike nuk do të ndikojë në realizimin e procesit. Kësisoj, Strasburgu garanton se procesi i heqjes së vizave nuk do të kushtëzohet nga situata politike në Shqipëri, e komplikuar kjo muajt e fundit si pasojë e bojkotit të parlamentit nga pala opozitare. Deputetët e Parlamentit Evropian shprehen me vendosmëri se Shqipëria ka përmbushur kushtet teknike porsa i takon vizave dhe se ambienti politik nuk të do pengojë integrimin e Shqipërisë në listën e bardhë të “Schengen”-it. Duke qenë se Shqipëria ka përmbushur kushtet teknike, atëherë procesi duhet të ecë shpejt. Në këtë proces është e angazhuar tërësisht edhe Presidenca spanjolle e Bashkimit Evropian. Eurodeputetët Marije Cornelissen, Simon Bussutil dhe Tanja Fajon shprehen se Shqipëria ka bërë një progres të dukshëm, çka e bën të mundur dhënien e një vlerësimi pozitiv nga Komisioni Evropian e më pas miratimin në Parlamentin Evropian.
Marije Cornelissen, eurodeputete, grupi i gjelbër:
“Jam mbështetëse shumë e fortë e heqjes së vizave për Shqipërinë. Progresi që pashe ishte shumë impresionues, kështu që do t’i rekomandoj edhe grupit tim që të votojë në favor të heqjes së vizave”.
Simon Bussutil, eurodeputet, Grupi Partia Popullore:
“Gjatë vizitës tonë në Tiranë, ne pamë se ç’është bërë deri tani dhe na bëri shumë përshtypje përgatitja e Shqipërisë për kushtet teknike për procesin e heqjes së vizave. Ne jemi të përgatitur për t’i thënë po heqjes së vizave, por jemi duke pritur vlerësimin përfundimtar të Komisionit Evropian për kriteret teknike. Ne duam ta mbajmë këtë çështje në nivelin teknik. Për një vend që kërkon heqjen e regjimit të vizave, ai duhet të përmbushë kriteret teknike. Ne nuk duhet ta përziejmë këtë me çështjet politike”.
Tanja Fajon, raportuesja për vizat për Shqipërinë dhe Bosnjën, Grupi Socialist:
“Ne kemi vizituar Shqipërinë kohët e fundit dhe mbetëm goxha të kënaqur me progresin teknik në Tiranë. Unë do të thosha, nëse Shqipëria plotëson kushtet, atëherë s’ka arsye për shtyrje të procesit të heqjes së vizave. Unë do të thosha se përmbushja e kritereve të udhërrëfyesit për heqjen e vizave është një proces teknik. Janë më shumë se 100 kritere teknike, që një vend duhet t’ju përgjigjet për tu kualifikuar. Pjesa teknike është më e rëndësishmja dhe unë nuk do të shtoja asnjë kriter politik në këtë udhërrëfyes. Duhet të jetë një proces rreptësisht i ndarë me atë politik”.
...