E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS bojkoton Parlamentin: Transparencë të plotë të zgjedhjeve

Autori i Lajmit: Redaksia
Deputetët socialistë kanë bojkotuar Parlamentin duke u shprehur se do të qëndrojnë vetëm nëse do të bëhen hetime të plota të zgjedhjeve të 28 Qershorit. Në emër të grupit të deputetëve të Partisë Socialiste ka folur deputeti Namik Dokle, i cili është shprehur se opozita nuk mund të pranojë komisionin hetimor të ngritur një javë më parë, vetëm me votat e mazhorancës. Namik Dokle theksoi se opozita nuk mund të pranojë që Kuvendi të kthehet në një farsë, ku nuk merren parasysh kërkesat e opozitës. “Kushtetutë dhe transparencë kërkojnë ndërkombëtarët, këtë kërkon edhe opozita. Kjo nuk është një krizë e zakonshme, por e jashtëzakonshme, që u thellua më shumë në seancën e fundit, ku u hodhën poshtë kërkesat tona për të gjetur zgjidhje. Refuzojmë absurditetin që qeveria u server ndërkombëtarëve dhe qytetarëve”,- u shpreh Dokle.
Deklarata e PS-së
Deputeti i Partisë Socialiste Namik Dokle ishte i vetmi që foli në seancën e djeshme parlamentare, duke lexuar edhe deklaratën e PS-së. Pas leximit të deklaratës së tij, deputetët opozitarë u larguan nga salla. Në fjalën e tij Dokle theksoi: “Seanca e fundit parlamentare vuri në pah mungesën e plotë të vullnetit të PD për zgjidhjen e krizës që po rëndohet çdo ditë e më shumë. Ju ju tremb transparenca se del në pah masakra zgjedhore, ju tremb transparenca e plotë se nëpërmjet hetimit do të dalë në pah dhe përpara ndërkombëtarëve numërimi i keq i zgjedhjeve, ju tremb fakti se në të gjithë vendin ka me dhjetëra e dhjetëra Rruzhdie”. Dokle, duke iu referuar seancës së kaluar, lëshoi akuza personale edhe për kryeministrin e kryeparlamentaren Topalli. “Grupi Parlamentar i PS denoncon me forcë edhe demagogjinë e kryeministrit dhe presionet e pashembullta të kryeparlamentares Topalli”, - u shpreh Doekle. Deputeti socialist theksoi se opozita nuk do të ndalet deri në transparencën e plotë të zgjedhjeve, ashtu siç kërkojnë edhe ndërkombëtarët.
Nisja e protestave
Pak para daljes nga Parlamenti, Dokle është shprehur se opozita do të nisë protestat dhe kjo do të ndodhë duke bojkotuar Parlamentin. Sipas tij, opozita do ti bashkohet popullit në protestë për të vënë në vend drejtësinë, me qëllim që mos të ripërsëritet e njëjta masakër në zgjedhjet e ardhshme. “Kushtetutë dhe transparencë kërkojnë ndërkombëtarët, këtë kërkon edhe opozita. Kjo nuk është një krizë e zakonshme, por e jashtëzakonshme, që u thellua më shumë në seancën e fundit, ku u hodhën poshtë kërkesat tona për të gjetur zgjidhje. Refuzojmë absurditetin që qeveria u servir ndërkombëtarëve dhe qytetarëve. Zgjedhjet e ardhshme në rrezik nga mungesa e transparencës, Grupi Parlamentar i PS nuk do të ndërpresë luftën për të gjetur plotësimin e kërkesave të saj, nuk do të lejojmë që të përsëritet përsëri Rruzhdia, ne do të jemi së bashku me popullin në protesta për të gjetur transparencën edhe në Parlament do të jemi për të kërkuar transparencën”,- përfundoi Dokle.

Rama: “Rizgjedhja e qeverisë, rruga jonë”

“Në situatën e krijuar, vendi ka vetëm dy rrugë: ose të rizgjedhë qeverinë, ose të vazhdojë keqqeverisjen, populli opozitar zgjedh rrugën e parë”. Ky është qëndrimi që ka mbajtur sot Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë mbledhjes me grupin e deputetëve të Partisë Socialiste. “Jemi në një krizë jo të zakonshme, por të jashtëzakonshme”,- u shpreh kreu i Partisë Socialiste në fjalën e tij, duke shtuar se “për ndërkombëtarët kriza nuk është zgjidhur”. Ai theksoi se kriza ekonomike që ka përfshirë vendin, vjen si pasojë e krizës së zgjedhjeve të deformuara të 28 Qershorit. Për Ramën, mungesa e transparencës së zgjedhjeve ka sjellë dhe mungesën e transparencës dhe në ekonomi dhe në të ardhurat e shqiptarëve. Në këtë situatë kreu i PS-së ka theksuar se “i vetmi ilaç është transparenca, duke filluar aty ky është deformuar vullneti qytetarëve dhe ka filluar rënia e ekonomisë, në zgjedhjet e 28 Qershorit”. Kreu i PS-së u është referuar dhe deklaratave të fundit të ndërkombëtarëve, kryesisht të grupit të majtë në Parlamentin Evropian, që e kanë cilësuar situatën në vend si më të rënduar sesa më parë.
“Transparencë duke filluar aty ku është deformuar vullneti i shqiptarëve dhe ku ka filluar rrëshqitja e pandalshme e ekonomisë. Transparencë nga momenti kur pushteti ka grabitur dhe kyçur në errësirë votën e njerëzve, duke fituar sigurinë se mund të bëjë çdo gjë me gjithçka që ka në dorë, sepse qytetarëve ua merr votën edhe po nuk ia dhanë. Tek zgjedhjet lidhet dhe zgjidhet kontrata e një populli me qeverinë në një demokraci. Kur qeveria e lidh kontratën me pahir, si më 28 qershor, popullit i mbeten vetëm dy rrugë: Ose të dalë në rrugë për të rizgjidhur kontratën, ose të pranojë rrugën e nënshtrimit nga keqqeverisja, që si në rastin tonë të pranojë shkatërrimin e përditshëm ekonomik. Këtë të dytën populli opozitar i Shqipërisë nuk mund ta pranojë. Ne do të jemi bashkë me popullin në protestë, për të fituar të drejtën e shkelur të transparencës për të gjitha kutitë e mbuyllura, nga kutia e zgjedhjeve, te kutia e ekonomisë, e drejtësisë, e lirisë së lëvizjes, konkurrencës, medias”, - u shpreh Rama. “Parlamenti do të jetë për ne vendi ku do të vazhdojmë të kërkojmë me durim e këmbungulje të drejtën e transparencës, atë dhe asgjë tjetër. Sepse, pa transparencën të gjitha liritë dhe të drejtat janë të mbyllura në kutitë e errëta të keqqeverisjes, kurse ligjet e shkruara janë ligje të pazbatuara. Sepse, vetëm përmes transparencës Parlamenti mund të jetë i Shqipërisë dhe jo i qeverisë dhe zgjidhja e kërkuar vijimësisht edhe nga komuniteti ndërkombëtar për transparencën, mund të bëhet realitet vetëm përmes këmbënguljes sonë”, - përfundoi kreu socialist.

Ky lajm është publikuar: 26/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›