E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shënime për librin “Zonja e zezë Nexhmije Hoxha” botuar në rumanisht nga Shtëpia Botuese “Humanitas”

Humanitas botoi në nëntor të vitit të kaluar, në kolanën «Histori Bashkëkohore», që e koordinoi me historianin Cristian Vasile, librin "Zonja e zezë, e veja e diktatorit shqiptar Enver Hoxha, me një parathënie të shkruar nga Ismail Kadare. Unë kam qenë i nderuar që kam shkruar argumentin e këtij libri-eveniment. Ky artikull është një përmbledhje e ideve kryesore të paraqitura prej meje në këtë tekst. Rrethi intim i liderëve komunistë paraqet një subjekt njëherësh historiografik, politologjik dhe psikologjik. Ashtu si universi mendor i këtyre despotëve ka të bëjë me psikopatologjinë. Kam parasysh posaçërisht gratë e despotëve të ndryshëm totalitarë, qenie të krijuara nga një lëndë e posaçme, të disponuara të tolerojnë apo të nxisin madje dhe prirjet më të ulëta të burrave të tyre.

Termi i “gjuhës së drurit” për ato si “zonja të para” të nomenklaturës ishte “shoqe lufte dhe jete”. Dua të theksoj, megjithatë, për të shmangur demonizimin e "zonjave të zeza”, faktin se ishte sistemi që lejonte vrasjet masive, propagandën histerike dhe persekutimin e çdo rivali të mundshëm.

Pozita e udhëheqësit të Partisë e bënte të ndihej një hyjni të vërtetë. Psikopatologjia e sistemit, ishte ajo që lejonte vrasjet ekstravagante të sociopatëve të mbërritur në krye të sekteve komuniste. Enver Hoxha ka qenë një lider i tillë: një kombinim i kapedanit tribal me atë të burokratit bolshevik, dogmatik e mizor, stalinist i kategorisë më të ashpër (në qoftë se pranojmë se do të ekzistonte përshkallëzim në këtë algoritëm të mosrespektimit të ligjit), maniak i spastrimeve periodike, relativisht i kultivuar në krahasim me militantët proletarë, Hoxha ia doli mbanë të sfidojë së pari Josip Broz Tito-n (me ndihmën e Moskës) dhe pastaj Nikita Sergeieviç Hrushiov-in (me ndihmën e Mao-s). Ndërtoi në Shqipëri një sistem si kamp përqendrimi me një intensitet dhe jetëgjatësi të pakrahasueshëm në Europë (ekuivalenti mund të ishte despotizmi aziatik i Koresë së Veriut). Mundi të pozojë si mbrojtës i pavarësisë kombëtare, një lloj ringjallës i Skënderbeut. Heroi sans peur et sans reproche, “trim mbi trima”, “korifeu i mendimit marksist”, “strateg gjenial” etj. Me vigjilencën e tij proverbiale (fjalë tjetër kyçe nga leksiku totalitar, fashist dhe komunist), armiku s’mund të shkatërronte “kështjellën e pamposhtur”. Në të gjitha veprimet e tij kishte pranë Nexhmijen, qenia prej graniti, femra pa ndjenja të tjera veçse dashurisë për partinë (lexo për Enverin dhe enverizmin).

Historia e Partisë së Punës u desh rishkruar në mënyrë periodike në funksion të hakmarrjeve të përgjakshme në krye të partisë, prandaj Znj.Hoxha u bë drejtoreshë e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste pranë KQ të PPSH-së. Ashtu si Elena çaushesku ëndërroi të ishte kimiste, Nexhmija ëndërroi të ishte ideologe. Ismail Kadare ka të drejtë, në parathënien aq të nevojshme, për librin vërtet tejet tërheqës të Fahri Balliut, se si, në hierarkinë e errët “të shoqeve të jetës dhe të luftës”, Nexhmije Hoxha shfaqet si më e zeza.
Në rast se lëçitësit dëshirojnë të shohin se si do të reagonte Elena po qe se do të kishte mbetur e ve, mund të merrni vesh gjëra interesante nga reagimet e Nexhmijes. Ky libër nuk është vetëm instrument njohjeje historike, por edhe një paralajmërim. Znj.Hoxha nuk ka shprehur askurrë as shenjën më të vogël të keqardhjes. Ideja e njohjes së fajit dhe e ndjesës janë të huaja për të. Si dhe Paul Niculescu-Mizil, Ştefan Andrei, Ion Stănescu dhe të tjerë nostalgjikë komunistë që nuk e njohin ndjesën, e veja e Enver Hoxhës, guxon të tregojë me gisht, fyen dhe deklarohet e persekutuar. Ka plotësisht të drejtë kësisoj Fahri Balliu kur shkruan: “Në sulmet e dhunshme të lëshuara përmes të tilla “kujtimesh” dhe “dëshmish” duhet t’i bëjnë shqiptarët të mendohen mirë dhe të kujtojnë se diktatura në të cilën kanë kaluar ngjan me ato sëmundjet e tmerrshme që mund të rikthehen dhe ta kaplojnë përfundimisht atë që vuan”.

Në qoftë se do të më duhej të ngërthej me një koncept sa më sintetik thelbin e regjimit leninist shqiptar, më i përshtatshëm do të ishte ai i sulltanizmit totalitar. Atmosfera në oborrin e sulltanit Enver ishte e mbuluar nga gënjeshtra, deliri enkomiastik, sadizmi dhe hakmarrjet tribale. Anëtare e Komitetit Qendror të PPSH-së, duke kontrolluar qasjen tek diktatori dhe duke i ndikuar vendimet, Nexhmija ishte bashkëfajtorja kryesore.

Shtëpia Botuese “Humanitas” meriton nderimin tonë për botimin e këtij libri, me përkthimin e mrekullueshëm të Tiberius Puiu-t. “Zonja e zezë” e Fahri Balliut është një libër me një hetim kaplues të llahtarit të një universi politik që prodhon tmerr, i zhytur në urrejtje, në hakmarrje dhe zili të thellë. Nuk është bota e intrigave fiorentine, por ajo e pasioneve klanore të kamufluara në një llafollogji dialektike.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›