Komisioni i Ligjeve miraton projektligjin per Gjykaten e Larte
Projekt-ligji për Gjykatën e Lartë është gati për në seancë plenare, ndonëse i miratuar në Komisionin Parlamentar të Ligjeve vetëm me votat e mazhorancës. Partia Socialiste braktisi punimet e Komisionit, duke refuzuar të bëhet pjesë e shqyrtimit nen për nen. Në vend të amendamenteve që mazhoranca i kishte ftuar të paraqisnin për ligjin, socialistët ritheksuan kushtin për zgjidhjen e çështjes së qarkut të Fierit. Ra në sy mungesa e reformës parlamentare në fjalën e deputetit Majko, të cilën të hënën e servirën si kusht si një nga pikat e paplotësuara të marrëveshjes parlamentare të 14 nëntorit
Në këto kushte Komisioni i Ligjeve pas disa shtyrjesh me radhë rinisi punën mbi projekt-ligjin, aty ku kishte mbetur në fund të sesionit të shkuar parlamentar, shqyrtimin nen për nen të tij.
Drafti i qeverisë me konsultën e Euralius dhe grupet e interesit u miratua në komision, pa ndryshime, me përjashtim të specifikimit në ligj se jo më shumë se 25% anëtarëve të Gjykatës së Lartë mund të jenë juristë. Pjesa tjetër do të jene gjykatës karriere, duke mos arritur në Gjykatën e Lartë, pa kaluar dy shkallët e tjera të gjyqësorit. Ky erdhi dhe si propozim i përfaqësuesit të Euralius që në vijimësi ka ndjekur punimet e komisionit
Ligji për Gjykatën e Lartë parashikon krijimin e kolegjit administrativi në funskion të ligjit për Gjykatën Administrative. Numri i anëtarev të Gjykatës së Lartë shkon në 19, ndërsa do të ketë një kategorizim të numrit të çështjeve që në varësi të rëndësisë mund të shqyrtohen me kolegje prej 3 ose 5 anëtarësh. Ligji përcakton qartë dhe kriteret e përzgjedhjes së anëtareve, ku përveç atyre profesionaleve i mëshohet edhe kriterit të integritetit dhe meritës. Saktësohen në ligj edhe roli i Presidencës dhe Kuvendit në përzgjedhjen e kandidaturave në respekt të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Këto ndryshime ligjore do të mbeten si projekt deri sa Partia Socialiste të vendosë t’i miratojë në seancë plenare, duke hequr dorë nga ai që mazhoranca e ka cilësuar si bllokim.