Partitë e reja të shmangin frymën nacionaliste

Ambasadorja gjermane në Tiranë, Carola Muller-Holtkemper sulmon linjën destabilizuese të AK-së
Nga qyteti i Korçës, ku ndodhej për një projekt të Ujësjellësit të qytetit të financuar nga qeveria gjermane, ambasadorja gjermane Carola Muller-Holtkemper ka bërë thirrje të shmanget fryma nacionaliste në politikën shqiptare.
Sipas saj, partitë e reja do të testohen në zgjedhjet e ardhshme, por shqetësuese tek to, janë tonet nacionaliste. Holtkemper kërkoi që të shmanget përdorimi i toneve të tilla, të cilat risjellin në kujtesë të kaluarën e luftërave etnike në Ballkan.
“Nuk mund të them nëse partitë e reja janë pozitive apo negative. Ne do të shohim rezultatin e tyre në zgjedhjet e vitit të ardhshme. Shqetësim përbëjnë tonet nacionaliste. Kujtojmë që propaganda nacionaliste ishte në themel të historisë së shkuar të Ballkanit, që u shpreh në realizimin e luftërave të ashpra. Mendoj që tonet të tilla duhet të shmangen”, deklaroi diplomatja gjermane.
E pyetur për Kodin Zgjedhor, ambasadorja gjermane është shprehur se partitë kryesore duhet të kenë vullnetin për të gjetur mirëkuptimin.
Ajo gjithashtu ka përsëritur qëndrimin për zgjedhjen e Presidentit konform Kushtetutës së Shqipërisë.
“Unë kam opinion tim për zgjedhjen e Presidentit duke iu referuar Kushtetutës, ku është shprehur qartë mënyra se si zgjidhet presidenti. Fakti që Presidenti mendohet të jetë përfaqësuesi i popullit, ku përcaktohen procedurat e zgjedhjes së tij dhe ku thuhet që në raundet e para të zgjedhjes kërkohet një shumicë e cilësuar”, tha ambasadorja gjermane. Deklaratat diplomatja gjermane i ka bërë pasi ka inspektuar ecurinë e punimeve të projektit të kanalizimeve dhe të ndërtimit të impiantit të përpunimit të ujërave të ndotura për qytetin e Korçës.