E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria dhe Turqia konfirmojnë aleancën e tyre strategjike

06-04-2012 / Gazeta 55

Kryeministrat Berisha dhe Erdogan vërtetuan në Ankara nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Turqisë, investimet turke prej 1 miliardë dollarësh gjatë 2012-s, por edhe aleancën për ndërtimin e gazsjellësit TAP, brenda një kohe sa më të shkurtër
Berisha fton Erdogan për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë

Bashkëpunimi shumë-planesh mes Turqisë dhe Shqipërisë u trajtua gjerësisht në konferencën e përbashkët për shtyp të kryeministrit shqiptar, Sali Berisha dhe homologut të tij turk, Rexhep Taip Erdogan. Në kuadër të vizitës së kryeministrit Berisha në Turqi mes dy krerëve të qeverive të këtyre dy vendeve u nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit mes akademive diplomatike. Në vijim do të ketë dhe një tjetër marrëveshje mes dy vendeve, konkretisht ajo mes arkivave të dy vendeve.
Marrëveshjet bilaterale pritet të shoqërohen me një bashkëpunim të shkëlqyer në fushën e arsimit,  shëndetësisë, në fushën e sigurisë dhe të rendit publik, të investimeve, të drejtësisë etj.,.
Ndërkohë që nga ana e tij kryeministri Erdogan shprehu mbështetjen e tij për realizimin e projektit TAP. “Azerbajxhani po bën përpjekjet e veta lidhur me projektin e TAP. Edhe ne do të mbështesim një projekt të tillë, duke pasur parasysh që Azerbajxhani është vendi kryesor nga i cili do të transportohet gazi. Duam që të kemi një lloj bashkëpunimi me Shqipërinë dhe Italinë, duke pasur parasysh zgjidhjen e problemit të transferimit të gazit nga vendi ynë në Shqipëri dhe Itali, edhe vendimi ynë do të merret në këtë kuadër”, u shpreh kryeministri Erdogan gjatë fjalës së tij në këtë konferencë lidhur me zbatimin e projektit TAP.
Njëkohësisht, ai vlerësoi dhe potencialet e mëdha ekonomike që ka vendi ynë për investitorët. “Shqipëria mbetet një nga vendet e paprekura nga kriza ekonomike ashtu si Turqia. Edhe ne kemi disa probleme të vogla, por e rëndësishme është që Shqipëria nuk ka probleme serioze, si rrjedhojë e krizës ekonomike që ka përfshirë botën. Ne duhet të mbështetmi në forcat tona. Derisa Shqipëria të jetë e stabilizuar do të jetë vend me potenciale të larta për të tërhequr investimet e huaja”, vuri në dukje Erdogan.
Ndërkohë që vlerësoi Shqipërinë si aleatin strategjik të Turqisë në Ballkan.
Duke dhënë detaje të bisedës mes tyre, Erdogan u shpreh se “vizitat e ndërsjella kanë ndikuar në rritjen e bashkëpunimit midis dy vendeve tona dhe në bisedat tona fund e krye të sinqerta, morëm në shqyrtim tema të bashkëpunimit ekonomik, ushtarak etj”.
Njëkohësisht ndalur bashkëpunimin mes dy vendeve, kryeministri turk nënvizoi se “vlera e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve është 400 milion dollarë. Ky nuk është kapaciteti i vërtetë i marrëdhënieve tregtare mes dy vendeve. Shumë investitorë turq vijojnë investimet e tyre në Shqipëri. Synojmë që këto investime të kalojën në masën e 1 miliard dollarëve. Shpresojmë të zhvillohen dhe marrëdhëniet në fushën e turizmit”.
Gjithashtu, Erdogan bëri me dije se gjatë bisedës me kryeministrin Berisha u fol dhe për mbështetjen e anëtarësimit të Maqedonisë. “Folëm për zhvillimet në Siri, sulmin ndaj komandove në Afganistan, ku humbi jetën një shqiptar. Unë e falënderoj Kryeministrin e Shqipërisë për kontributin e vendit të tij në Afganistan. Në kuadër të bashkëpunimit ekonomik të vendeve të Detit të Zi, do të organizohet një samit në Stamboll mes kryetarëve të shteteve të këtyre dy vendeve”, u shpreh Erdogan. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha shprehu “mirënjohje ndaj kryeministrit Erdogan, qeverisë së tij, popullit mik turk për mbështetjen e madhe që i kanë dhënë Shqipërisë gjatë këtyre 20 viteve, pas daljes së saj nga një diktaturë infernale, përpjekje e kurorëzuar me sukses”.
Më tej, ai vuri në dukje se “sot u firmosën dy marrëveshje të rëndësishme, por janë me dhjetëra e dhjetëra marrëveshje të tjera, të cilat përbëjnë kuadrin e shkëlqyer ligjor të bashkëpunimit mes dy vendeve tona në të gjitha fushat. Në këto marrëveshje bilaterale ka një bashkëpunim të shkëlqyer në fushën e arsimit, në fushën e shëndetësisë, në fushën e sigurisë dhe të rendit publik , të investimeve, të drejtësisë, në çdo fushë”, tha kryeministri.
Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se nga 2005 deri më sot investimet turke në Shqipëri janë rritur 9 herë, ndërsa kërkoi nga autoritetet shtetërore turke të inkurajojnë biznesin turk të përqendrojë investimet në Shqipëri.
“Nuk ka pasur Samit ndërkombëtar apo konference ndërkombëtare që nuk jemi takuar, që nuk kemi shqyrtuar marrëdhëniet tona, që nuk kemi diskutuar se si ti nxisim ato më tej dhe dua të theksoj se nga 2005 deri më sot investimet turke në Shqipëri janë rritur 9 here. Ato mund të rriteshin edhe 19 herë, por këto janë objektiva për t’i realizuar në të ardhmen”, tha Berisha.
Gjithashtu Berisha tha se “Shqipëria mbështet plotësisht kandidaturën e Turqisë për anëtarësimin në Këshillin e Sigurimit, e bindur se Turqia do të luajë një rol shumë të rëndësishëm në Forumin më të lartë ndërkombëtar”.
Po kështu, gjatë fjalës së tij kreu i ekzekutivit shqiptar vuri në dukje pozitat e vendit tonë në aleancën euroatlantike. “Sot takohemi si dy aleat në NATO. Forcat e armatosura të Shqipërisë dhanë ndihmë të madhe në përpjekjet për anëtarësim”, deklaroi Berisha.
Më tej, kryeministri Berisha falënderoi homologun turk për mbështetjen kryesorë të njohjeve të Kosovës. “Shpreh admirimin tim për qëndrimin e kryeministrit Erdogan në çështjen e Sirisë. Ne që kemi përjetuar diktaturat më të egra kemi dhe mirëkuptimin më të madh për përpjekjet e popujve për t’u çliruar prej tyre”, nënvizoi Berisha.

Kryeministri Erdogan i përgjigjet interesit të gazetarëve

Si i vlerësoni reformat ekonomike të qeverisë shqiptare, të cilat bënë të mundur që Shqipëria të mos preket nga kriza globale ekonomike? Mendoni se Shqipëria ofron potenciale dhe është një vend i besueshëm për investime të huaja?
Mund të them se Shqipëria është një ndër vendet e pakta në Evrope dhe në Ballkan që nuk u prek nga kriza ekonomike. Shqipëria e kaloi këtë pa vështirësi, si Turqia. Sigurisht nuk mund të themi pa vështirësi fare, pasi edhe ne kemi pak vështirësi. Shqipëria me drejtimin e vet të suksesshëm financiar dhe ekonomik e kapërceu këtë periudhë. Sigurisht duhet që duke u mbështetur fort në potencialet tona të vijojmë zhvillimin dhe mendoj se për sa kohë që Shqipëria do të jete e sigurt dhe e stabilizuar do të ketë mundësi te fuqizimit të ekonomisë së saj.

A do ta mbështesni projektin e gazsjellësit të TransAdriatikut që kalon përmes Shqipërisë?
Ne i qëndrojmë fjalës tone. Këtu kemi përpjekjet e Azerbajxhanit në këtë drejtim. Ne kemi shansin që të japim këtu mbështetjen me potencialin tone. Pasi gazi të dalë nga Turqia, kemi çështjen e kalimit te tij në Shqipëri, pra të projektit të gazsjellësit. Këtu ju e dini qe ne i kemi dhënë Greqisë gaz natyror. Tani në rend të ditës është Italia. Ne duam që Italia me Shqipërinë të ndihmohen së bashku. Pra, ashtu siç do t’i jepet Italisë, në të njëjtën mënyrë t’i jepet edhe Shqipërisë. Kështu do zgjidhet problemi i gazit natyror. Ne nuk kemi ndonjë pikëpamje negative në këtë drejtim. Ne jemi te vendosur të mbështesim Shqipërinë ne projektin e gazsjellësit Transadriatik.

Berisha fton kryeministrin Erdogan për festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë

Kryeministri, Sali Berisha ka ftuar homologun e tij në Shqipëri me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë. Berisha shprehu mirënjohjen më të thellë ndaj kombit turk dhe Republikës së Turqisë për mbështetjen 100 vjeçare që i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve në përpjekjet e tyre për liri dhe dinjitet kombëtar. “Kam ardhur këtu me ftese të kryeministrit Erdogan, në një vizitë që përkon me 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe ky është një rast i shkëlqyer për mua të shpreh mirënjohjen më të thellë ndaj kombit turk dhe Republikës së Turqisë për mbështetjen 100 vjeçare që i ka dhëne Shqipërisë dhe shqiptarëve në përpjekjet e tyre për liri dhe dinjitet kombëtar. Unë shfrytëzova rastin të ftoj mikun tim kryeministrin Erdogan në një vizitë në Shqipëri në kuadrin e këtij 100 vjetori. Dua të shpreh shumë mirënjohje ndaj kryeministrit Erdogan, qeverisë së tij, popullit mik turk për mbështetjen e madhe që i kanë dhënë Shqipërisë gjatë këtyre 20 viteve, pas daljes së saj nga një diktaturë infernale, përpjekje e kurorëzuar me sukses”, u shpreh Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›