Ekonomia shqiptare rritet 3,1 % gjatë 2011-s
Megjithë krizën botërore, ekonomia shqiptare konfirmon se përballon spekulimet e tregjeve ndërkombëtare. INSTAT konfirmon se ekonomia shqiptare i ka tejkaluar parashikimet e BB-së dhe FMN-së për vitin 2011, duke një rritje prej 3.1 për qind, më e larta në rajon dhe njëra nga më të lartat në Evropë
“Viti 2011 ka shënuar një zhvillim pozitiv të ekonomisë shqiptare, krahasuar me vendet e tjera të rajonit dhe Europës”.
Duke u fokusuar në tremujorin e fundit të vitit të kaluar ekonomia ka shënuar një rritje me 3.8 për qind kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2010.
Kjo rritje e pjesës më të madhe të sektorëve ekonomikë në vend ka tejkaluar kështu edhe parashikimet mbi ekonominë shqiptare të BB dhe FMN.
Sipas të dhënave më të fundit të Institutit kombëtar të Statistikave mbi PBB të vitit 2011, rezulton se rritja vjetore e ekonomisë ka qenë me 3.1 për qind ndaj vitit të mëparshëm. Në tremujorin e katërt të vitit 2011, degët që kanë pasur rritjen më të madhe ndaj të njëjtës periudhë të vitit 2010 kanë qenë Transporti me 15.4 për qind, tregtia me 8.8 për qind, shërbimet e tjera me 5.4 për qind, postkomunikacioni me 3.8 për qind, bujqësia me 1.9 për qind dhe ndërtimi me 1.2 për qind. I vetmi sektor sipas INSTAT, që ka shënuar rënie në këtë periudhë është industria me një rënie me 7.8 për qind.
Gjithashtu vlen për t’u theksuar se rritja e ekonomisë ka qenë e konsiderueshme e krahasuar edhe me tremujorin e tretë të vitit 2011.
Sektorët që kanë pasur zhvillimin më të lartë paraqiten post-komunikacioni, me 3.3 për qind, tregtia me 2.7 për qind dhe shërbimet e tjera me 1.6 për qind. Dega e bujqësisë në 3-mujorin e fundit të vitit 2011 rezultoi me rritjen 1.9 për qind ndaj 3-mujorit të katërt të vitit 2010 dhe 0.9 për qind kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2011.
PBB Tremujore sipas degëve të ekonomisë
Bujqësia
Aktiviteti bujqësor në tremujorin e katërt të vitit 2011 krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë u rrit me 1.9 për qind dhe 0.9 për qind kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2011.
Industria
Grupi i industrive pati rënie me 7.8 për qind në tremujorin e katërt të vitit 2011 krahasuar kjo me tremujorin e katërt të 2010. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2011, dega e industrisë pati një rënie prej 5.8 për qind.
Ndërtimi
Aktiviteti i ndërtimit në tremujorin e katërt të vitit 2011 u rrit me 1.2 për qind krahasuar
me tremujorin e katërt të vitit 2010 dhe u ul me 2.6 për qind krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2011.
Tregti, Hotele dhe Restorante
Ky grup pati një rritje prej 8.8 për qind në tremujorin e katërt të vitit 2011 krahasuar
me të njëjtin tremujor të një viti më parë dhe një rritje prej 2.7 për qind krahasuar me
tremujorin e tretë të vitit 2011.
Transporti
Aktiviteti i transportit në tremujorin e katërt të vitit 2011 u rrit me 15.4 për qind krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë dhe pati një rënie me 1.7 për qind ndaj tremujorit para-ardhës.
Post komunikacioni
Dega e post komunikacionit u shfaq me një rritje 3.8 për qind në tremujorin e katërt të vitit 2011 përkundrejt tremujorit të katërt të vitit 2010 dhe një rritje me 3.3 për qind
përkundrejt tremujorit të tretë të vitit 2011.
Shërbimet
Dega e shërbimeve në tremujorin e katërt të vitit 2011 pati rritje me 5.4 për qind kundrejt tremujorit të katërt të vitit 2010 dhe një rritje prej 1.6 për qind krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2011.