E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi-Krasniqi: Rritje të bashkëpunimit të gjithanshëm

Kreu i shtetit Bamir Topi është takuar sot me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe delegacionin që e shoqëron në kuadër të vizitës zyrtare në vendin tonë.
 

Kreu i Shtetit shqiptar shprehu kënaqësinë për këtë takim të rëndësishëm të nivelit të lartë, duke vënë në dukje marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve tona, si dhe duke shprehur njëkohësisht bindjen në forcimin e konsolidimin e mëtejshëm të tyre.

Presidenti Topi nënvizoi rëndësinë e rritjes së mëtejshme të bashkëpunimit reciprok mes dy vendeve tona fqinje duke vlerësuar me këtë rast “vullnetin e mirë, punën intensive dhe iniciativat e ndërmarra nga drejtuesit e Kosovës për një sistem të qëndrueshëm politik dhe ekonomik, ku klasa politike dhe udhëheqësit e saj kanë dëshmuar e po tregojnë maturi të vazhdueshme në zgjidhjen e problemeve të ndryshme, me të cilat janë përballur deri më tani.”

Gjithashtu, Presidenti Topi vuri në pah faktin se shteti i ri dhe populli i Kosovës kanë mundur të ndërtojnë në këto tre vite pavarësie një shtet multietnik të bazuar mbi respektimin e të drejtave të të gjitha pakicave dhe me institucione kushtetuese të konsoliduara.

Më tej, të dy personalitetet e larta shtetërore, duke prekur temën e bisedimeve Kosovë-Serbi, ku palët respektive rinisin sot dialogun për të diskutuar çështje të ndryshme teknike, shprehën dëshirën dhe inkurajimin për realizimin konkret të këtyre negociatave, në mënyrë që faktori shqiptar të vijojë të japë shembullin më pozitiv për ruajtjen e paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjatë në të gjithë rajonin e Ballkanit.

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka vlerësuar rolin moderator e konstruktiv të Kreut të Shtetit shqiptar jo vetëm në vend, por dhe për përpjekjet e vazhdueshme institucionale e diplomatike në drejtim të përfshirjes së Kosovës në forumet e tryezat e përbashkëta rajonale dhe njohjes së mëtejshme të saj në arenën ndërkombëtare.
Në këtë pikë Presidenti Topi dhe zoti Krasniqi theksuan rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit të gjithanshëm mes dy vendeve tona në fusha si ekonomia, arsimi, shkëmbimet tregtare, përafrimi i legjislacionit, etj. në mënyrë që të projektohet së bashku e ardhmja e tyre dhe integrimi në Bashkimin Evropian.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›