E Diel, 1 Nëntor 2026

Euro këmbehet me 140 lekë, këstet e kredive dhe ushqimet më shtrenjtë

04/02/2011  Goditja e kursit të këmbimit e importuar nga jashtë

Monedha evropiane euro është forcuar ndjeshëm në tregun e këmbimit valutor në vend. Gjatë ditës së djeshme sipas kursit zyrtar të këmbimit të publikuar nga Banka e Shqipërisë kjo monedhë i është afruar kuotës së 140 lekëve. Ndërsa në agjencitë e këmbimit valutor kjo monedhë këmbehet me 140.79 lekë. Ky është niveli më i lartë që monedha evropiane ka shënuar që prej fillimit të vitit. Ndërsa monedha amerikane, gjatë kësaj jave ka humbur terren ndaj monedhës vendase, ku ka arritur në 101.15 sipas kursit zyrtar dhe 102.01 lekë në agjencitë e këmbimit valutor. Ndikimi i drejtpërdrejtë i mbivlerësimit të monedhës evropiane është përkthyer në një shtrenjtim të çmimeve të ushqimeve, të cilat importohen nga jashtë, por edhe në këste më të shtrenjta për ata që kanë marrë kredi në monedhë të huaj. Çmimet e disa produkteve ushqimore në treg janë shtrenjtuar ditët e fundit. Të tilla janë drithërat, vezët, fasulet, sheqeri, vaji të cilat tregtohen me 20 lekë më tepër. Faktorët që kanë çuar në këtë situatë lidhen me ecurinë e bursave ndërkombëtare dhe zhvillimet në tregjet e huaja. Thatësira e verës së 2010 në Detin e Zi, përmbytjet e mëdha aktuale në Australi dhe thatësira në Argjentinë bashkë me rritjen e kërkesës pas trazirave në Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme, kanë rritur çmimin e drithërave në vlerat më të larta të viteve të fundit. Guvernatori Ardian Fullani pak ditë më parë theksoi se ruajtja e lëvizjes së lirë të mallrave e të kapitalit në nivel botëror do të jetë një sfidë e rëndësishme për politikëbërësit. “Zhbalancimet makroekonomike në nivel global, të shfaqura në nivele të larta të deficitit tregtar të disa vendeve të zhvilluara, mund të materializohen në goditje mbi kursin e këmbimit mes monedhave kryesore dhe mbi shkëmbimet e lira tregtare në botë. Gjithashtu, shqetësimet mbi nivelin e borxhit publik dhe qëndrueshmërinë fiskale të disa prej vendeve të eurozonës vazhdojnë të ndikojnë ndjeshmërinë e tregjeve financiare dhe tolerancën e tyre ndaj rrezikut”, - tha Fullani. Agjencia FAO ka paralajmëruar se moti i keq në shumë rajone të globit do të rrisë çmimet e ushqimeve akoma më shumë.

Monedha Kursi zyrtar Agjencitë e këmbimit

USD/ LEK 101.15 102.01

EUR/LEK 139.44 140.79

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›