E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partitë, optimiste për fitore para rivotimit të së dielës

Nga Express më 06 janar 2011 në ora 18:53

Ashtu sikurse në komunën e Drenasit dhe Skenderajt, edhe në komunën e Deçanit subjektet politike kanë zgjedhur që gjatë fushatës parazgjedhore të mbajnë tubime të vogla me qytetarë dhe simpatizantë. Zyrtarë të këtyre partive shprehen optimist se do të shënojnë fitore në rivotimin e së dielës.

Një pjesë e madhe e përfaqësuesve të subjekteve politike të enjten mësynë Deçanin për të vazhduar ditën e dytë dhe të parafundit të fushatës për përsëritjen e zgjedhjeve të 12 dhjetorit, për shkak të parregullsive të evidentuara nga ana e KQZ-së.

Aty u pa lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti, një pjesë e kryesisë së AAK-së në krye me Daut Haradinaj, si dhe përfaqësues të LDK-së.

Kryetari i Degës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për Deçan, Rasim Selmanaj ka thënë për Kosovapress se kjo parti është përgatitur për rivotimin e së dielës, në të cilin presin që të shënojnë fitore bindëse.

“Edhe pse ne mendojmë se ka qenë një vendim i padrejtë dhe ka qenë një përpjekje për të balancuar me disa prej komunave ku ka pas parregullsi të mëdha, megjithatë Aleanca është përgatitur mirë dhe ne po ashtu do ta përsëritim një fitore të thellë, sikur herën e kaluar”, ka thënë Selmanaj.

Koordinatori i Lëvizjes Vetëvendosje për Deçan, Dardan Molliqaj, ka thënë se janë fokusuar nëpër fshatra të kësaj komune, kryesisht me kryesinë, por edhe me simpatizantë dhe qytetarë tjerë duke prezantuar planin e Vetëvendosjes.

“Deçanit i është dhënë një mundësi e mirë për të korrigjuar padrejtësinë që iu kanë bërë njerëzit e AAK-së, PDK-së, LDK-së dhe LDD-së në Deçan, të cilët e kanë manipuluar vullnetin e tyre të shprehur më 12 dhjetor dhe iu është dhënë mundësia që këta të distancohen prej njerëzve që kanë vjedhur”, ka thënë Molliqaj.

Ndërkaq, kryetari i degës së LDK-së në Deçan, Armend Zemaj, ka thënë se kjo parti ka vazhduar takimet në strukturat e degës dhe elektoratin, duke shpjeguar arsyet dhe rrethanat pse ndodhi ky rivotim dhe njëherësh duke shpalosur planet e qeverisjes së kësaj partie.

“Neve na ka ardhur keq pse ka ndodhur ky rivotim, por ka ndodhur pa dëshirën e LDK-së, pa pjesëmarrjen në atë keqpërdorim dhe ne i bëjmë thirrje qytetarëve të shfrytëzojë drejtën e votës, edhe pse me mundim, në kohë të keqe dhe ne besojmë se qytetaret e Deçanit e kanë kuptuar se vota duhet të jetë e lirë, demokratike dhe të shkojë aty ku duhet, prandaj ne presim dalje masovike dhe mbështetje për LDK-në, edhe ashtu kemi pas një rritje nga zgjedhjet e vitit të kaluar dhe besojmë që do të kemi rritje edhe tash në këtë rivotim”, ka thënë Zemaj.

Nimon Selmanaj nga Shtabi Zgjedhor i PDK-së në Deçan, ka thënë për Kosovapress se PDK-ja në aspektin teknik është e përgatitur maksimalisht dhe se propozimet për deputetë dhe angazhimet e mëdha kanë bërë që numri i simpatizantëve të kësaj partie të rritet në Deçan.

“Ne si parti kemi ndryshuar strategjinë dhe nuk kemi shkuar në tubime të hapura me qytetarë, por kemi vazhduar në mënyrë individuale, familjare dhe grupore që të kërkojmë votën e qytetarëve tonë”, ka thënë ai.

Nesër është dita e fundit e përmbylljes së fushatës parazgjedhore në komunën e Deçanit.

KQZ ka vendosur për rivotim të plotë në tri komuna, Drenas, Skenderaj dhe Deçan, por edhe rivotim të pjesshëm në Malishevë dhe Lipjan, për shkak të parregullsive që ndodhën gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të 12 dhjetorit, në të cilat sipas rezultateve preliminare fituese ka dalë Partia Demokratike e Kosovës. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›