Berisha ftesë opozitës për vitin 2011
Kryeministri Sali Berisha ka ftuar opozitën të bashkëpunojë në agjendën e vitit 2011, të cilën ai e konsideroi si mjaft të rëndësishme duke përmendur integrimin e vendit, rritjen e ekonomisë dhe të pagave.
Në mbledhjen e parë të qeverisë për vitin 2011, kryeministri Sali Berisha ka shpallur si objektiv madhor “Shqipëria vend i zhvilluar brenda vitit 2017”.
Berisha është shprehur për bashkëpunim me opozitën , por ky bashkëpunim duket i largët, pasi të premten pritet që të nisë dhe djegia e fletëve të votimit për të cilat opozita ka kundërshtuar duke kërkuar transparencë të zgjedhjeve të 28 qershorit .
“Ftojmë opozitën të bashkëpunojë në këtë agjendë jashtëzakonisht të rëndësishme. Është në tagrin e saj të marrë vendimin që do, dhe kjo agjendë nuk mund të pengohet nga asgjë, “ ka thënë kryeministri Berisha.
Ndërkohë opozita ende nuk ka një reagim më të fundit rreth ftesës së kryeministrit, por ajo është shprehur qartë se pa bërë transparencë e zgjedhjeve të 28 qershorit të cilat i konsideron të manipuluara. nuk mund të ketë bashkëpunim. /bbc/