E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partitë politike reagime për parullat antimaqedonase

 

SHKUP - Partitë politike në Maqedoni dënuan sot provokimet dhe parullat antimaqedonase të armatës greke gjatë një parade ushtarake në Athinë. Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Vllatko Gjorçev deklaroi se thirrjet dhe retorika e ushtrisë greke përputhen me ate që momentalisht flitet nga politika greke dhe Qeveria.

“Këto parulla me nacionalizëm të ashpër dhe shovenizëm flasin për marrëdhënie jo të mira ndërfqinjësore dhe kanë të bëjnë kundër popullit maqedonas, Shqipërisë dhe popullit shqiptar si dhe Turqisë dhe popullit turk”, deklaroi Gjorçev, anëtari i partisë së kryeministrit Gruevski.

Ndërsa deputetja e BDI-së, Teuta Arifi tha se porosia që duhet të vijë nga të gjitha vendet anëtare të NATO-s dhe BE duhet të jetë një porosi për bashkëpunim të hapur dhe jo porosi për urrejtje dhe pakënaqësi.

Po kështu reagim i ashpër ka ardhur edhe nga deputeti i PDSH-së, Besim Dogani. “Kjo është për tu dënuar, por pavarësisht nga kjo Maqedonia si aspirante në NATO dhe BE duhet të vazhdojë politikën konstruktive”, deklaroi Dogani.

Ndërsa deputeti i partisë opozitare LSDM, Emilian Stankoviç teksa dënoi ashpër provokimet e hapura të Athinës, i bëri thirrje autoriteteve greke që të mos tregojnë kapacitete jodemokratike.

Sot gazeta greke “Ethnos” njoftoi se gjatë një parakalimi në Selanik me rastin e festës kombëtare të Greqisë, pjestarët e komandove greke hodhën parulla si “Maqedonia është greke”, “Në damarët e maqedonasve rrjedh gjak grek” dhe “Nuk do t'ia japim emrin Maqedoni Shkupit”. Thirrje të tilla kanë shkaktuar një situatë jo të këndshme në lozhën zyrtare, në të cilën krahas presidentit grek Karolos Papulias dhe anëtarëve të qeverisë, kanë qenë edhe ministrat e Mbrojtjes të shtatë vendeve të Evropës Juglindore.
(a.s/Balkanweb/INA)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›