Incident ndëretnik në Mitrovicë
MITROVICË – Të rinj serbë dhe shqiptarë janë përplasur me njëri tjetrin me armë zjarri në Mitrovicë duke shkaktuar edhe incidentin e radhës në qytetin verior të Kosovës. Lajmi është bërë i ditur nga burime të policisë të cilët kanë njoftuar se nga ky incident nuk ka asnjë të plagosur.
“Besohet se rreth 20 persona nga të dy grupet etnike janë tubuar në mes të fshatit Suhadoll dhe lagjes “Kroi i Vitakut”, mirëpo forcat policore të SHPK-së, UNMIK-ut dhe pjesëtarë të KFOR-it, kanë arritur që të vendosin situatën nën kontroll duke mbajtur në distancë prej 200 metrash, personat e tubuar për të evituar problemet e mëtejme”, thuhet në njoftimin e policisë së Kosovës.
Sipas policisë incidenti është shkaktuar nga mostoleranca ndëretnike dhe besohet se është iniciuar nga një kompani e ngarkuar për rindërtimin e shtëpive të banorëve shqiptarë. Në këtë moment mendohet se shtetasit serbë kanë kërkuar ndalimin e punimeve dhe largimin e punëtorëve të firmës. “Në atë kohë janë tubuar grupe të personave nga të dyja etnitetet dhe kanë filluar një përleshje fizike me përdorim të shufrave të drurit dhe të metalit. Në përleshjen fizike në mes të dy grupeve është raportuar për një numër të papërcaktuar të personave të lënduar”, bëri të ditur policia.
Per këtë ngjarje policia raportoi se nuk ka të arrestuar por janë duke u kryer të gjitha përpjekjet për të identifikuar iniciatorët e këtij incidenti.
(a.s/Balkanweb/REL)