E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mendon për ‘Euro 2016’

Përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaku, qysh tani ka nis të mendojë për eliminatoret e Kampionatit Evropian të vitit 2016. Ai beson se UEFA dhe FIFA shumë shpejt do ta njohin plotësisht Kosovën, andaj përfaqësuesja nga tash duhet t’i nisë përgatitjet. Bunjaku insiston se për eliminatoret e garës do të llogaritë në shërbimet e lojtarëve më të mirë që kanë dalë nga Kosova, pavarësisht se për cilat shtete aktualisht luajnë ata.

Pasi i ikën eliminatoret për kampionatin evropian ‘Euro 2012’ dhe për Botërorin e vitit 2014, Kosova qysh tani ka filluar të mendojë për Evropianin e vitit 2016, i cili do të zhvillohet në Francë.

Kjo pasi selektori i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku, beson se shumë shpejt Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) do të bëhet anëtare e plotë UEFA-s dhe FIFA-s.

Këtë Bunjaku e pohon duke u bazuar në faktin se FIFA tashmë e ka lejuar Kosovën të zhvillojë ndeshje miqësore, gjë që seleksionuesi kosovar e konsideron si një shenjë të madhe të ndërkombëtarizimit të plotë të futbollit tonë.

“Ne duhet të përgatitemi dhe të punojmë sikur jemi në Kampionat Evropian. Duhet të sillemi sikur jemi me të drejta të plota dhe përgatitemi edhe në aspektin organizativ edhe sportiv”, ka deklaruar të enjten Bunjaku para gazetarëve.

I pyetur se a e synon Evropianin e vitit 2016 me lojtarët kosovarë që aktualisht i mbrojnë ngjyrat e kombëtareve të shteteve tjera, Bunjaku ka thënë po. Kështu ai i është kundërpërgjigj reprezentuesit zviceran Valon Behrami, i cili ditë më parë tha se Kosova le ta harrojë ‘ekipin e ëndrrave’.

“Unë llogaris në njëmbëdhjetë lojtarët më të mirë që i ka Kosova. Të gjithë i kanë dyert e hapura. Por, duhet ta kuptojmë pozicionin në të cilën gjendet Valoni dhe gjithë të tjerët, të paktën derisa të pranohemi plotësisht në FIFA e UEFA. Pas kësaj shumë nga ta do t’i kthehen Kosovës. Këtë ma kanë thënë mua shumë nga ta. Por, normalisht që edhe ne duhet t’u krijojmë kushte. Duhet të presim dhe jemi në rrugë të mirë”, theksoi Bunjaku i cili u pajtua me Fadil Vokrrin, i cili për mediat serbe kishte thënë se dyert e reprezentacionit kosovar do të jenë të hapura edhe për lojtarët serbë me prejardhje nga vendi ynë, si: Milos Krasic e Milan Bisevac.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›