E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kombëtarja, UEFA në Shqipëri për të ndarë hesapet

Nga Andi MATRAXHIU

Dje, në Shqipëri, ka mbërritur një nga inspektorët e licencimeve të stadiumeve nga UEFA. Pas disa kontrollesh, do të vendosen fatet e kombëtares

Kombëtarja e Shqipërisë është ende e paqartë për stadiumin në të cilin do të zhvillojë eliminatoret Brazil 2014. Kuqezinjtë arritën të kalojnë me sukses ndeshjet miqësore ndaj Katarit dhe Iranit duke i fituar të dyja. Puna e mirë që pritet të bëjë trajneri Xhani De Biazi në krye të Shqipërisë, mund të hasë pengesën e stadiumit Qemal Stafa, atje ku kombëtarja e Shqipërisë është mësuar gjithnjë të luajë takimet zyrtare dhe miqësore.

Por edhe stadiumet e tjera në Shqipëri mund të mos plotësojnë kushtet. Takimi i pak ditëve më parë midis kryebashkiakut të Tiranës, Lulëzim Basha dhe kreut të FSHF-së, Armand Duka, ka vendosur disa pika mbi I.

Por pas të gjithë bisedimeve është vendosur që do të jetë pikërisht UEFA që do të vendosë për fatin e stadiumit Qemal Stafa dhe për stadiumin në të cilin do të luajë Shqipëria, duke filluar nga eliminatoret e ardhshme. Me shumë mundësi kombëtarja e futbollit tonë mund ti luajë sfidat jashtë Shqipërisë, por kjo mbetet për tu parë gjatë ditëve në vazhdim. Një çështje e tillë do të zgjidhet shumë shpejtë

Takimi me kryebashkiakun Basha

Ndërkohë që sot ai do të ketë një takim me kryebashkiakun Lulëzim Basha për të diskutuar disa gjëra rreth rikonstruksionit të stadiumit Qemal Stafa, puna e të cilit ka nisur nga parkingu dhe me shumë mundësi ky stadium nuk do të jetë në gjendje për të zhvilluar sfidat e kombëtares së Shqipërisë.

Gjithçka do të vendoset pas kontrollit të stadiumit Qemal Stafa nga inspektorit i UEFA-s. Ky ka qenë edhe pakti i Bashës dhe Dukës me kërkesë të kreut të FSHF-së. Në takimin e mëparshëm Basha-Duka, kërkesa kryesore ka qenë pikërisht ajo që shqetëson më shumë institucionin më të lartë të futbollit në vend, parkingu për hir të punimeve të të cilit, është bllokuar një pjesë e madhe e arenës para stadiumit kombëtar Qemal Stafa.

Biseda midis dy drejtuesve ka qenë konstruktive dhe e bazuar në mirëkuptimin e bashkëpunimit. Në parim, Duka dhe Basha kanë qenë dakord që punimet të vazhdojnë për ndërtimin e parkingut, si një kërkesë e nevojshme, por njëkohësisht të krijohen mundësi për realizimin e kushteve për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare të futbollit.

Prezente në bisedë ka qenë edhe ideja se firma që ndërton parkingun të realizojë mundësinë në zonat rreth stadiumit kombëtar për akomodimin e mjeteve, që kërkojnë rregullat e FIFA-s. Edhe në këtë moment përsëri duhet një aprovim i institucionit më të lartë botëror të futbollit për të zhvilluar ose jo ndeshjet në Tiranë.

Menjëherë pas takimit, Duka ka theksuar se do të jetë grupi i licencimit në UEFA ai që do të vendosë se ku do të luhen ndeshjet e ardhshme të kombëtares shqiptare. Duhet të thërrasim zyrtarët e licencimit të FIFA-s. Na kanë ofruar disa mundësi për të bërë parking në pjesën e pasme, ku është fusha ose te parkimi i KQZ-së, të gjitha këto mundësi duhet të shihen nga licencuesit dhe nëse do të lejohet të luhet në atë stadium, nëse jo, me ndërhyrjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, duhen ca investime në stadiumin e Shkodrës për të kaluar atje, deklaroi kreu i FSHF-së, Armand Duka.

Pak ditë më parë, sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Eduart Prodani, theksoi se organizmi më i lartë i futbollit në vend po bën të gjitha përpjekjet që fillimi i punimeve për ndërtimin e stadiumit të ri në kryeqytet të nisë në fund të këtij.

Inspektimet e stadiumeve

Dje inspektori në fjalë ka mbërritur në vendin tonë dhe pasi ka inspektuar stadiumin Niko Dovana të qytetit të Durrësit, është drejtuar për në juglindje për të ekzaminuar me kujdes stadiumin Skënderbeu të Korçës. Ndërkohë që do të kontrollohet edhe Loro Boriçi i Shkodrës dhe inspektori i UEFA-s do të ketë edhe një takim me kryetarin e Bashkisë së këtij qyteti, Lorenc Luka.

Dihet që stadiumet në fjalë kanë probleme për të pritur ndeshje të nivelit ndërkombëtar, edhe pse në to është bërë punë voluminoze, sidomos në stadiumin e Korçës. Pas takimeve dhe inspektimeve të shumta, Shqipëria mund të mbetet edhe pa shtëpi. Kombëtarja mund të emigrojë në ndonjë shtet fqinjë, si Italia apo Zvicra për të zhvilluar takimit eliminatore të Kupës së Botës Brazil 2014.

Takimi me Armand Dukën

Pasi të përfundojë takimin me kryetarin e Bashkisë së kryeqytetit, Lulëzim Basha, inspektori i UEFA-s pritet të zbarkojë në zyrën e kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Palët do të diskutojnë gjatë dhe më pas fjalën e fundit sigurisht do ta thotë njeriu i dërguar nga UEFA. Do të jetë ai që do të vendosi për stadiumin në të cilin do të zhvillohen sfidat e Shqipërisë.

Forcat e rendit

Inspektori i UEFA-s do të ketë një takim edhe me drejtuesit më të lartë të rendit në Shqipëri për të siguruar edhe këtë hallkë të rëndësishme gjatë aktivitetit të një ndeshje futbolli. Dihet që institucioni më i madh i futbollit në Evropë është tepër serioz në organizime të tilla.

Faktet kanë treguar që Shqipëria është gjobitur ose penalizuar për disa fishekzjarr të hedhur në fushën e blertë, ndaj dhe rregullat janë tepër rigoroze. Të tilla do të jenë edhe për organizimin e eliminatoreve Brazil 2014.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›