E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partizani, fitore e polemika: Po na dëmtojnë me dashje

Partizani ka fituar 2-0 ndaj Skënderbeut në një ndeshje të tensionuar jo nga lufta sportive, por nga faullet e shkaktuar nga futbollistët korçarë dhe kartonët e kuq. Në përfundim të "betejës", Skënderbeu e ka mbyllur ndeshjen me 8 lojtarë pas largimit para kohe nga fusha të Kotes, Shtupinës dhe Çipit, gjë që lë të kuptohet më së miri atmosferën e këtij takimi. Në fakt, presidenti i Partizanit, Albert Xhani, i ka paraprirë ngjarjeve të pjesës së dytë të ndeshjes, kur gjatë pushimit është takuar me zv/presidentin e korçarëve, Zoi Mindili, duke protestuar për sjelljen e futbollistëve të Skënderbeut, të cilët sipas tij po përpiqeshin me dashje të dëmtonin futbollistët e kuq para sfidës vendimtare me Dinamon. Pavarësisht faktit se Mindili e ka qetësuar Xhanin para fillimit të pjesës së dytë, fusha e lojës nuk ka thënë të njëjtën gjë, pasi në 45 minutat e dyta janë akorduar tre kartonët e kuq ndaj korçarëve për ndërhyrje shumë të ashpra.

Për sa i përket kronikës së ndeshjes, thuajse gjithçka ka folur për Partizanin që ka dominuar në fushën e lojës, ndonëse e ka pasur të vështirë të gjejë rrugën e rrjetës. Të kuqtë kanë arritur të kalojnë në avantazh vetëm në minutën e 28-të, kur Muzaka ka ekzekutuar saktësisht një goditje dypasimshme brenda zonës korçare. Vetëm 3 minuta më vonë ka qenë Bakaj që ka dyfishuar shifrat me një gjuajtje të pakapshme për Llapanjin, ndonëse në një pozicion diagonal me portën. Por nga ky moment, loja e futbollistëve të Skënderbeut është ashpërsuar dhe kanë filluar ndërhyrjet e rrepta, si pasojë e të cilave në pjesën e parë është larguar nga fusha e lojës Tafaj i dëmtuar. Në pjesën e dytë situata u përkeqësua, duke bërë që gjyqtari Meta të nxirrte tre herë kartonin e kuq nga xhepi për të ndalur furinë e korçarëve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›