Besëlidhja: Mirupafshim Superiore!
Besëlidhja është skuadra e dytë, e cila ka rënë matematikisht në Kategorinë e parë për sezonin e ardhshëm. Lezhjanët nuk kanë mundur të marrin pikë në Kavajë ndaj Besës vendase, duke u mundur 2-0 dhe si rrjedhojë i kanë dhënë lamtumirën Superiores, pasi Teuta dhe Kastrioti janë tashmë 4 pikë para tyre. Besa ka qenë ndër të paktat skuadra që nuk ka toleruar në këtë javë, duke pasur parasysh edhe faktin se është e përfshirë në luftë për të siguruar vendin e tretë dhe pjesëmarrjen në Kupën Intertoto. Si rrjedhojë, kavajasit janë shfaqur mjaft agresivë që në minutat e para të takimit, duke kaluar në avantazh në minutën e 14-të. Krasniqi ka nisur një pasim nga e djathta për Xhihanin, i cili ka depërtuar në zonë dhe ka gjuajtur në portë duke mposhtur Koçin. Sulmuesi kavajas shfaqet pas pak minutash përsëri para portës lezhjane, por gjuajtja e tij fluturimthi këtë radhë devijohet saktësisht nga portieri i lezhjanëve që mban gjallë shpresat e skuadrës. Besëlidhja mundohet të reagojë dhe e mbyll pjesën e parë në sulm. Miçiç dhe Paulinjo provojnë në të gjitha mënyrat të gjejnë rrugën e rrjetës, por fillimisht mbrojtësi Hoxha e më pas portieri Dura shpëtojnë portën kavajase nga gola të sigurt me ndërhyrjet e tyre vendimtare. Edhe pjesa e dytë shfaq të njëjtën tablo, ku janë miqtë që kërkojnë me ngulm një gol që do t‘i mbante ende në garë për mbijetesën. Por Besa luan më e tërhequr në mbrojtje, duke kontrolluar çdo hapësirë dhe duke synuar të shënojë përsëri nëpërmjet kundërsulmit. Pavarësisht sulmeve të pareshtura të ekipit lezhjan, porta e Besës mbetet e paprekur, ndërsa në anën tjetër është Xhihani, i cili në minutën e 92-të dyfishon shifrat pas një kundërsulmi të shpejtë, duke vulosur përfundimisht rënien nga kategoria të Besëlidhjes. Tashmë lezhjanët do të luajnë për formalitet në javën e fundit me Vllazninë, ndërsa Besa pritet të marrë një fitore të lehtë në Durrës përballë Teutës, që ka siguruar tashmë "playout"-in.