Partizani, fitorja e vetmja alternativë

Të gjithë presin fitoren e parë të Partizanit në shtëpi, teksa në ballafaqimin e fundit në "Qemal Stafa", të kuqtë humbën me Vllazninë 2-1.
Partizani do të luajë sot me besimin se ka ardhur momenti për të marrë tri pikët e plota kundër Apolonisë, më të cilën në tre takimet e fundit historikë, ato të sezonit 2006-2007 ka dalë fitimtar.
Takimi i sotëm kundër fierakëve (4 pikë, po aq sa Partizani në katër javët e para) konsiderohet si pika e kthesës për të trajnerin Hasan Lika.
Të kuqtë, pas fitores 1-0 kundër Lushnjës në transfertë (gol i Karapicit), kanë pasur oshilacione në rezultatet e tyre, duke humbur me 1-2 Vllazninë në kryeqytet (gol i Karapicit) e Tiranën në "Selman Stërmasi" (1-2, gol i brazilianit Bruno).
Pikërisht dyshes braziliane Bruno-Roma i ka besuar edhe trajneri i 15-herë kampioneve të Shqipërisë, Hasan Lika, i cili mbeti i pakënaqur nga performanca e Elis Bakajt në barazimin 0-0 kundër Teutës një javë më parë.
Sipas Likës, Partizani i versionit "samba" – të 15-herë fituesit e Kupës së Shqipërisë aktivizohen tre brazilianë – është në rindërtim e sipër, e pritet që sot të japë shenjat e një rikthimi të bujshëm, duke synuar fitoren e parë në shtëpi e për të përligjur edhe besimin e tifozerisë së kuqe.
Apolonia e Gert Haxhiut ka mundur të marrë vetëm një barazim nga dy ndeshjet e zhvilluara në transfertë, kur befasoi Elbasanin në javën e parë (0-0).
Dy humbjet rresht me Vllazninë (3-1) në Shkodër e Tiranën (0-2) në Fier, i kanë bërë të mendojnë shumë drejtuesit e klubit fierak, të cilët nuk mund të tolerojnë një humbje të tretë, edhe pse luajnë kundër një prej ekipeve më të mëdha të Shqipërisë.
Objektivi minimal i trajnerit Haxhiu është marrja e një pike, teksa tekniku vlonjat i Apolonisë nuk e ka përjashtuar gjatë deklarimeve edhe fitoren ndaj të kuqve, ndaj të cilëve skuadra fierake nuk fiton nga prilli i vitit 2003.
PARTIZANI-APOLONIA
Data: 28.09.2009
Ora: 16:00
Stadiumi: "Qemal Stafa", Tiranë
Gjyqtar: Albano Janku
Bilanci: 56 ndeshje; 37 fitore, 11 barazime, 8 fitore Apolonia. Golat: 150-46
Fitorja e fundit e Partizanit: 2-0, 21.04.2007
Barazimi i fundit: 2-2, 03.04.1999
Fitorja e fundit e Apolonisë: 2-0, 26.04.2003