"Partizani i panjohur", vendtakimi i punëkërkuesve

Largimet e pamotivuara nga puna apo mungesa e kontratave janë dy prej disa problemeve që shtrohen nga sindikatat
"Për dhjetorin, janarin, shkurtin, marsin dhe prillin, pra për 5 muaj kam marrë vetëm 5 mijë lekë"
Aktivistë të sindikatave në Shqipëri shprehen se ka një sërë vështirësish, me të cilat haset anëtarësia e tyre. Ata përmendin largimet e pamotivuara nga puna, mosekzistencën e kontratave individuale e kolektive, rritja e çmimeve të mallrave të konsumit, të ilaçeve etj. Këto do të jenë dhe pjesë e kërkesave të tyre në veprimtaritë e protestës që zhvillojnë në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, 1 Majin.
Jeta e një punëtori në Tiranë
Aliu, një 44- vjçar, nga zona periferike e Tiranës, vjen çdo ditë në qendër të kryeqytetit, në sheshin pranë "Ushtarit të Panjohur", ku mblidhen të gjithë punëkërkuesit ditorë. Ai ka rreth 6 vjet që bën të njëjtën gjë duke pritur së bashku me veglën e tij më të shtrenjtë, matrapikun, me të cilin mund të bëjë punë të ndryshme sidomos në ndërtim. Herë - herë kap ndonjë punë të përkohshme, por qëllon që për disa ditë apo dhe javë nuk e aktivizon kërkush. Që do të thotë se ai nuk merr asnjë lek. Ai tregon, se e ka mjaft të vështirë pasi familja i pret të ardhurat vetëm nga ai. "Kam një fëmijë, gruaja pa punë, vetë pa punë. Shtëpinë e kam pa dokumente po kështu dhe tokën e kam pa tapi. Për dhjetorin, janarin, shkurtin, marsin e prillin, pra për 5 muaj kam marrë vetëm 5 mijë lekë. Unë ofroj çdo punë me matrapik, si usta, transport, etj. E përballojmë jetën me zor të madh, me borxhe. Por dhe borxh s'të japin më dyqanet, sepse janë mbushur listat plot. Nuk është puna vetëm për mua, por për të gjithë..."
Ditën e 1 Majit, Aliu nuk do t'i bashkohet lëvizjes sindikale për protesta, pasi nuk ka shumë besim te këto subjekte. Politika është prezente në këto aktivitete mendon Aliu, dhe i shfrytëzon për qëllimet e saj.
Vështirësitë e punëtorit shqiptar
Gjon Bardhi është njëri prej themeluesve të Konferederatës së Sindikatave në Shqipëri, dy dekada më parë. Tani ai është aktivist në federatën sindikale të punonjësve të industrisë. Bardhi rendit një sërë vështirësish, me të cilat po përballen aktualisht ai dhe sindikatat: "Largimet nga puna nuk bëhen sipas kodit të punës, sipas ligjit, por bëhen sipas bindjeve politike. Organizatat tona sindikale kanë bërë disa denoncime në prokurori e gjykatë për këtë. Dhe pjesën më të madhe gjyqet i kemi fituar. Nuk është e vërtetë se papunësia në Shqipëri është 13 për qind, por më shumë deri në 40 - 50 për qind. Tek ne nuk zbatohet karta sociale e punës, sepse reformat bëhen thjesht për reformë, ato nuk janë institucionale, nuk janë në të mirë të një ndërmarrjeje a institucioni, por reformat bëhen sipas bindjeve politike".
Sindikata e Arsimit
Ndërsa Novruz Kaptelli, drejtor i marrëdhënieve me publikun në Sindikatën e Pavarur të Arsimit të Shqipërisë thotë se këto ditë po finalizohet një nga aksionet e dy organizatave kryesore të sindikalistëve të arsimit. Nga një proces i gjatë debati dhe diskutimi me Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës është bërë i mundur hartimi i kontratës së re të punës.
Kaptelli e përshkruan këtë kontratë si "kushtetutën" e punonjësve të arsimit, që iu jep atyre të gjitha detyrimet dhe të drejtat. "Ne për 4 vitet në vazhdim, të cilat do të mbulohen dhe nga kontrata e re e punës që e nënshkruajmë së shpejti, do të kërkojmë ndaj ministrisë dhe qeverisë rritjen deri në 50 për qind të pagave. Do të forcojmë partneritetin me Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës për reformat arsimore. Është e domosdoshme që reformat në arsim t'i përgjigjen kohës".
Ai e konsideron si mjaft të frytshëm bashkëpunimin mes dy sindikatave kryesore të arsimit në Shqipëri. Por fryma kooperuese sipas tij vlen dhe nga forcimi i marrëdhënieve me homologët jashtë kufijve të vendit. "Ne kemi marrëdhënie shumë të mira me sindikatat e arsimit të Kosovës. Por dhe me të tjera të rajonit si me ato të Maqedonisë. Gjithashtu nje kemi bashkëpunim konkret dhe me dy sindikatat homologe të Holandës. Kemi aplikuar së bashku me to një projekt për eleminimin e braktisjes së shkollës nga fëmijët, sidomos ata nga komuniteti rom në disa rrethe". Kaptelli e shikon shkëmbimin e eksperiencës me sindikatat partnere në rajon dhe më gjerë si një rast të mirë për konsolidimin e lëvizjes sindikaliste në Shqipëri, për orientimin drejt problematikës sociale, ekonomike, arsimore, etj., të anëtarësisë.