Partizanit i bie "vlera" e pretendentit javën e dytë
E konsideruar si ndeshja më e rëndësishme e javës së dytë të superligës, ajo mes Partizanit dhe Vllaznisë, e zhvilluar dje në stadiumin "Qemal Stafa", është mbyllur me fitoren 2-1 të shkodranëve. Eshtë fitorja e parë për Vllazninë, që i bashkohet kështu grupit kryesues (Dinamo, Tirana, Elbasani, Apolonia), me 4 pikë të grumbulluara në 2 javë. Shkodranët e kanë diktuar ndeshjen e djeshme, pasi Partizani nuk ka pasur forcën e duhur për të marrë diçka në këtë 90-minutësh. Kapiteni Sinani e ka kaluar Vllazninë në epërsi në pjesën e parë, kurse Dhëmbi e ka dyfishuar rezultatin në pjesën e dytë, duke ndëshkuar ish-skuadrën e tij. Karapici ka zgjuar më pas shpresat e Partizanit për një barazim të mundshëm, por shkodranët janë mbrojtur mirë dhe në fund i kanë merituar 3 pikët. Vllaznia, pas barazimit me Tiranën dhe fitores së djeshme me të kuqtë, konfirmohet si një pretendente e denjë, ndërsa Partizanit i ka rënë "vlera" në javën e dytë, sepse ka zhgënjyer në "Qemal Stafa", aq sa ka krijuar idenë se fitorja në Lushnjë ka qenë më tepër një rastësi.
Në javën e dytë kanë shijuar fitoret e para edhe Apolonia, që mundi Lushnjën 2-0 në "Loni Papuçiu", si dhe Elbasani, që ka marrë 3 pikët në Vlorë, falë një goli të Merxhës në minutat shtesë.
Të shtunën kanë fituar edhe skuadrat e tjera pretendente: Dinamo, Tirana dhe Besa. Pas dy javëve të para, asnjë skuadër nuk ka arritur të marrë pikë të plota, kurse Bylisi dhe Lushnja ende nuk kanë shijuar pikën e parë. Java e ardhshme do të jetë pushim, për shkak të angazhimit të kombëtares tonë në ndeshjen eleminatore me Suedinë, kështu që skuadrat kanë 2 javë kohë të përgatiten për sfidën e radhës në kampionat.
Superliga, java e dytë
Dje
Partizani – Vllaznia 1-2
Apolonia – Lushnja 2-0
Flamurtari – Elbasani 0-1
Të shtunë
Dinamo – Shkumbini 3-1
Bylis – Besa 2-3
Teuta – Tirana 0-1
Renditja
1. Dinamo 4 pikë
2. Apolonia 4
3. Tirana 4
4. Elbasani 4
5. Vllaznia 4
6. Shkumbini 3
7. Flamurtari 3
8. Besa 3
9. Partizani 3
10. Teuta 1
11. Lushnja 0
12. Bylis 0
Kategoria e parë
Dje
Besëlidhja – Luftëtari 0-3
Ada – Burreli 0-3
Pogradeci – Kastrioti 0-1
Të shtunë
Skënderbeu – Dajti 1-0
Sopoti – Laçi 0-1
Naftëtari – Bilisht-S. 1-0
Gramozi – Tërbuni 1-0
Turbina – Skrapari 1-0