E Diel, 1 Nëntor 2026

Salihi dhe Xhihani, golat e vetëm shqiptarë në Europë

Hamdi Salihi duket se e ka bërë zakon tashmë që, përpara ndeshjeve me kombëtaren, të shënojë me ekipin e tij, Riedin në Austri, gjë që e bëri edhe para miqësores me Lihtenshteinin. Kështu "u soll" edhe dje ndaj Shturmit të Gracit, teksa realizoi golin e dytë, në minutën e 26-të për Riedin, në fitoren e pastër të të tijve 4-1 në fushën e vet. Po kështu, dje, gol shqiptar në Europë ka shënuar edhe kavajasi Parid Xhihani, për ekipin e tij ukrainas të Zorias. Kavajasi e ka gjetur rrugën e rrjetës në minutën e 78-të, ndërkohë që miqtë e Kribvasit, ku janë aktivizuar me kohë të plotë dy shqiptarët e tjerë, Bylykbashi dhe Ervin Bulku, kanë fituar 2-1.

- Altin Lala e ka nisur ndeshjen e djeshme ndaj Shtutgartit, në fushën e këtij të fundit, si titullar për Hanoverin. Mesfushori dhe kapiteni ynë kuqezi është mundur 2-0 në këtë transfertë, ndërkohë që është zëvendësuar në minutën e 62-të nga bullgari Jankov.

- Edmond Kapllani ka "ngrohur stolin" dje, në ndeshjen e Karlsruhes me Këlnin, 90-minutësh i cili është mbyllur 2-0 në favor të miqve. Durrsaku kuqezi është futur në lojë vetëm në minutën e 72-të, ndërkohë që skuadra e tij ishte në disavantazh të një goli. Pas aktivizimit të tij, miqtë kanë shënuar edhe golin e dytë.

- Erion Bogdani e ka nisur sezonin e ri në Seria A në stol. Ai nuk është aktivizuar fare për Kievon dje, në ndeshjen ndaj Rexhinës. Skuadra pritëse, ku aktivizohet edhe sulmuesi shqiptar, ka fituar 2-1.

- Ilion Lika ka luajtur si titullar dje, me Terek Groznin e tij, në barazimin 1-1 në transfertën e vështirë të Luch Energia. Portieri shqiptar, i thirrur së fundi edhe në kombëtare, ka vijuar të tregojë formë të shkëlqyer sportive, duke i shpëtuar të tijtë nga gola të sigurtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›