E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpëtimi në Postë

Qeveria e ka lidhur shitjen e PTK’së me miratimin e buxhetit, duke i ikur kështu një vendimi të veçantë nga Kuvendi, siç e kërkon Ligji për Ndërmarrjet Publike. Miratimi i buxhetit nënkupton automatikisht edhe lejen e Qeverisë për të vazhduar me shitje. Kjo nguti vjen pas presioneve të ndërkombëtarëve për t’i gjetur qare deficitit Nga Agon Sinanaj më 24 mars 2011 në ora 10:15

Me Ligjin për Ndërmarrjet Publike, Qeveria obligohet që me rastin e shitjes së aseteve publike, fillimisht ta marrë izën e Kuvendit të Kosovës. Dhe atë në një seancë të veçantë për këtë punë.

Kështu nuk do të jetë në seancën e së premtes, kur do të votohet për buxhetin e këtij viti.

Qeveria e Kosovës ia ka lehtësuar punën vetes, duke e futur një nen në Draftligjin e buxhetit për vitin 2011, me të cilin Komisioni Qeveritar për Privatizim do të procedojë me shitjen e aksioneve të PTK`së, pavarësisht se proceduralisht kjo formë nuk parashihet në ligjet ekzistuese. Kjo i bie që kur deputetët ta votojnë buxhetin, në të njëjtën kohë e votojnë edhe shitjen e PTK`së.

“Vendimi i Qeverisë i marrë në mars për privatizimin e PTK-së nëpërmes kësaj është aprovuar, ndërsa që Komisioni Qeveritar i Privatizimit do të procedojë me shitjen e aksioneve të kësaj kompanie në përputhje me obligimet që rrjedhin nga Ligji për ndërmarrjet publike”, thuhet në Ligjin për buxhetin.

Për me tepër, në Draftligj, Qeveria shpjegon se ka qenë ikja nga procedurat që kërkojnë këto dy ligje, arsyeja për ta lidhur shitjen e PTK-së me buxhetin.

Nga ana tjetër, është pikërisht Ligji për ndërmarrjet publike që i kërkon disa procedura, me rastin e shitjes së ndërmarrjeve publike.

“Aksionet në një ndërmarrje publike mund të shiten lirisht nëse Qeveria miraton një vendim me shkrim, me kusht që ky vendim të miratohet me shumicë të thjeshtë votash nga Kuvendi”, thuhet në nenin 9 të Ligjit për ndërmarrjet publike.

Nga ana tjetër, burime të Expressit brenda Qeverisë kanë treguar se edhe ndërkombëtarët po bëjnë presion që shitja e PTK-së të ndodhë sa më shpejt. Ata kanë dhënë urdhër që privatizimi të ndodhë sa më shpejt, gjë e cila parashihet edhe me marrëveshjen e Kosovës me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Kjo pasi shihet si zgjidhje për mbulimin e deficitit buxhetor që arrin afër 300 milionë euro. Ndërkohë, kaq para parashihet të shitet krejt ndërmarrja.

“Duhet të përfundojë shitjen brenda gjashtë muajve, në mënyrë që mjetet nga privatizimi t’i këtë në buxhetin e saj”, tregon ky burim.

Kjo formë e shitjes, që nuk është përmendur më parë dhe që për me tepër nuk figuron në asnjërin prej ligjeve ekzistuese, atë për Ndërmarrjet publike dhe Ligjin për partneritetin publiko-privat, ka vënë në sprovë edhe partitë opozitare.

Ato thonë se nuk do ta votojnë buxhetin të premten, nëse nuk merren parasysh vërejtjet e tyre, që është heqja e këtij neni.

Haki Shatri, deputet nga radhët e AAK-së, thotë se proceduralisht kjo formë është e kundërligjshme. Thotë se partia e tij do t’i bëjë vërejtjet të premten.

“Nëse ky buxhet kalon, ku përfshihet edhe vendimi për shitjen e PTK-së, atëherë s’ka me pas nevojë për Kuvend fare”, ka thënë Shatri.

Sipas tij, kjo është një metodë e fshehtë dhe që ka për qëllim shmangien e procedurave, ashtu siç e kërkojnë ligjet ekzistuese, saktësisht Ligji për ndërmarrjet publike.
Vitin e kaluar, pas disa tentativave, strategjia e Qeverisë për privatizimin e PTK-së nuk kishte kaluar në mungesë të numrave. Tash i hapet rrugë privatizimit të Postës, vetëm me miratimin e buxhetit. Sipas kësaj strategjie, Qeveria do të privatizojë 75 për qind të aseteve të PTK’së, ndërkaq 25 për qind do të mbesin në pronësi të Qeverisë.

Privatizimi i pashmangshëm

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka thënë se privatizimi i kësaj kompanie duhet të bëhet dhe se ky proces është pjesë e reformës strukturore të ekonomisë së vendit. “Ne jemi të bindur se procesi i privatizimit të PTK-së është proces i funksionalizimit të modelit të ekonomisë së tregut në vend, është proces i ofrimit më të mirë të shërbimeve për qytetarët e Kosovës”, thotë Beqaj.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›