Partneriteti me pushtetin vendor, nuk mund të pengohet nga mendësi me ngjyrime politike
- Duhet të ndryshojmë një herë e përgjithmonë mentalitetin në marrëdhëniet me pushtetin vendor
Kryeministri Berisha theksoi sot, në mbledhjen e qeverisë, domosdoshmërinë e forcimit të partneritetit me pushtetin vendor, larg mendësive me ngjyra politike.
“Duhet një partneritet intensiv me qeveritarët vendorë. Klisheja e vjetër duhet të marrë fund. Në këtë partneritet nuk ka ngjyra, por qeveritarë të qytetarëve dhe ata janë qeveritarë direkt të qytetarëve. Beteja politike nuk aplikohet në këtë rast, kur të fillojë fushata elektorale atëherë secili të mbrojë kandidatin e tij,” u shpreh Kryeministri.
Në këtë funksion, Kryeministri tha se ka kontakte të vazhdueshme me të zgjedhurit vendorë, sikundër qeveria ka trefishuar grantin për pushtetin vendor dhe sërish do ta rrisë atë. “Ne do të krijojmë mundësi që qytetet të marrin frymë e të zhvillohen si qytetet moderne. Ne nuk mund të përcaktojmë çdo gjë, por natyrisht ne u ofrojmë partneritet qeverive vendore,” u shpreh Kryeministri.
Kryeministri kërkoi nga anëtarët e qeverisë të zbërthejnë në detaje partneritetin me pushtetin vendor, duke nxjerrë detyrat për dikasteret që ata drejtojnë.