Kryeministri Berisha do te vizitoje Japoninë për herë të parë, në fillim të vitit të ardhshëm
Kryeministri Berisha priti sot në një takim ambasadorin e Japonisë, zotin Yuji Nakamura.
Duke falënderuar për mikpritjen, ambasadori japonez u shpreh se presin me kënaqësi të veçantë vizitën që Kryeministri Berisha do të zhvillojë ne fillim te vitit qe vjen ne Japoni, vizitë e cila do të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira politike mes dy vendeve.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha e falënderoi ambasadorin japonez për përkrahjen që Japonia i ka dhënë Shqipërisë gjate këtyre viteve, si dhe ndihmën në fusha të ndryshme, si agrikulturë, arsim, etj.
“Qeveria shqiptare mbetet e vendosurit për të forcuar dhe zgjeruar bashkëpunimin me Japoninë ne të gjitha fushat”, u shpreh me tej, Kryeministri Berisha. Ai e njohu ambasadorin japonez me ecurinë e reformave në drejtim të zhvillimit ekonomik të vendit, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në përpjekjet e qeverisë për krijimin e klimës me te favorshme për biznesin dhe investimet e huaja. Në këtë kontekst, kryeministri Berisha i kërkoi ambasadorit japonez, që nëpërmjet përpjekjeve të përbashkëta të rrisim interesin e investitorëve japonez për të investuar në Shqipëri, për te cilën ai gjeti mbështetjen e plote te z. Nakamura.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha theksoi kënaqësinë e veçante që do të vizitojë Japoninë me ftesë të kryeministrit japonez, duke e cilësuar ketë vizite shume te rëndësishme për thellimin dhe zgjerimin e mëtejshëm te marrëdhënieve shume te mira mes dy vendeve.
Ndër të tjera, të dy bashkëbiseduesit diskutuan për zhvillimet më të fundit ne rajon.