Kryeministri Berisha takohet me përfaqësues të Kompanisë Sony Sistem
Kryeministri Berisha priti sot në një takim përfaqësues të Kompanisë Sony Sistem, të kryesuar nga Drejtori i Marketingut për Evropën zoti Pol Wollis.
Në këtë takim përfaqësuesit e kompanisë paraqitën projektin për digjitalizimin e prodhimit dhe të transmetimit të Televizionit Publik Shqiptar. Ky projekt, është një prej projekteve të paraqitura për shqyrtim në kuadër të modernizmit të transmetimeve në TVSH.
Kryeministri mirëpriti projektin e kompanisë Sony Sistem, duke siguruar përfaqësuesit e saj se projekti do të shqyrtohet me kujdesin më të madh. Ndër të tjera, Kryeministri u shpreh se në sajë të një pakete masash të ndërmarra nga qeveria, në ndihmë të biznesit, Shqipëria është vendi më i përshtatshëm për investime në rajon.
Në këtë kuadër, përfaqësuesit e kompanisë Sony System shprehën interesin për investime të tjera në Shqipëri.