E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas Bombës vjen Ditari

Suksesi të cilin e arriti me romanin ‘Bombë në Beograd’ duket se e ka motivuar tej mase autorin Albatros Rexhaj, i cili këto ditë pritet ta botojë romanin e radhës. ‘Ditari i një shkrimtari’ është romani i ri i Rexhajt që pritet të botohet dhe të plasohet në prag të Panairit të Librit në Tiranë.

Pak muaj pas botimit dhe suksesit që arriti me romanin ‘Bombë në Beograd’, shkrimtari kosovar Albatros Rexhaj vjen me një roman të ri. ‘Ditari i një shkrimtari’ titullohet romani i Rexhajt, i cili pritet të botohet këto ditë nga shtëpia botuese ‘Dudaj’ nga Tirana. Vet autori Rexhaj tregon se romani pritet të plasohet pak ditë para Panairit të Librit në Tiranë, i cili do të mbahet nga data 14 deri më 18 nëntor. Megjithëse e ka një titull që lë përshtypje sikur është roman autobiografik, Rexhaj thekson se ‘Ditari i një shkrimtari’ nuk është vepër biografike, por është një vepër artistike.

“Personazhi kryesor është Shkrimtari ndërsa ditari i tij në fakt është ditar artistik. Shkrimtari shkruan çdo mbrëmje, dhe për këtë rrëfimi është i ndarë në ‘Net’ që e kryejnë funksionin e kapitujve. Në këtë ditar, mendimet dhe impresionet e tij për jetën dhe dashurinë, Shkrimtari ia tregon muzës së tij. Kohë pas kohë rrëfen edhe për ngjarje të caktuara, por gjithnjë në kontekstin e rrëfimit kryesor”, shprehet Rexhaj. Ai madje tregoi se rrëfimi po ashtu ka vija të fuqishme erotike, por gjithnjë duke pasur kujdes që mos të kalohet në banalitet.

‘Ditari i një shkrimtari’ është një rrëfim ndryshe nga ‘Bombë në Beograd’. Dallon si në zhanër ashtu edhe në formë të të rrëfyerit. Përderisa te ‘Bombë në Beograd’ qëllimi i autorit ishte që lexuesi të përfshihet në rrëfim, te ‘Ditari i një shkrimtari’ qëllimi i tij është që lexuesi të ngacmohet që të meditojë për temat që shtjellohen.

Rexhaj tregon se në romanin e tij të ri rrëfimi është i ndërtuar si një lloj bashkëbisedimi virtual në mes të shkrimtarit dhe muzës së tij.

“Qëllimisht e kam zgjedhur këtë formë sepse konsideroj se fenomeni i Muzës vazhdon të jetë temë tabu në artin shqiptar. Artistët nuk ndjehen të lirë që të diskutojnë për këtë fenomen sepse frikohen nga forma të ndryshme të presionit apo edhe të keqinterpretimeve. Frymëzimi i artistit është një proces shumë delikat dhe si i tillë edhe duhet të respektohet”, thotë ai.

Duke folur për bashkëpunimin që e ka me shtëpinë botuese nga Tirana, Rexhaj thotë se shtëpia botuese ‘Dudaj’ është e njohur për faktin se e ka ekskluzivitetin për botimin në shqip të autorëve bashkëkohorë të njohur për stil avangard të të rrëfyerit. Ky është bashkëpunimi i tij i dytë me këtë shtëpi botuese, pasi që edhe romani ‘Bombë në Beograd’ është botuar nga ‘Dudaj’.

“Konsideroj se botimi i librit tim është pjesë e vizionit të botueses znj. Arlinda Dudaj që edhe në shqip të promovojë një stil bashkëkohor të letërsisë. Veçanërisht më gëzon fakti se do të vazhdojë punën me redaktorin Sejdin Cekani, me të cilin kam punuar edhe në romanin ‘Bombë në Beograd’. Redaktori është çelësi i suksesit të një shkrimtari bashkëkohor dhe unë jam shumë me fat që e kam një redaktor si Sejdini”, thotë Rexhaj.

Ai shton se paralel me promovimin e kësaj vepre do të vazhdojë ta promovojë edhe më tutje romanin e tij ‘Bombë në Beograd’. Sipas tij, ‘Bomba...’ e ka jetën e vet. Rexhaj tregon se gjatë nëntorit do ta promovojë në Ulqin dhe në diasporë. Rexhaj thotë se është në biseda me një produksion filmik për shitjen e të drejtave për adaptimin e tij në film.

“Po ashtu janë në plan edhe disa aktivitete tjera brenda vendit. Aktualisht jam në biseda me një produksion filmik që të shesë të drejtat për adaptimin e romanit në film. Shumë shpejt do ta bëjmë publike marrëveshjen”, thotë ai, duke shtuar se është duke negociuar edhe për përkthimin e romanit ‘Bombë në Beograd’ në gjuhën serbe.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›