E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veshja si dallim kulturor

Shtetet e ndryshme karakterizohen me kultura dhe zakone të ndryshme. Kjo vlen edhe për veshjen dhe stilet e modës. Përderisa në Gjermani, për shembull, mbizotëron klasikja dhe vetëpërmbajtja, në Bullgari (por edhe në shumë vende tjera ballanike) trendi është krejt tjetër. Femrat me dëshirë i theksojnë vijat e tyre trupore.

Kur erdhi në Gjermani, në vitin 1997, Tzvetelina Kreuzer vishte mini-funda, përdorte makijazh të fortë, dhe thonjtë i kishte gjithmonë të lyer.

Një ditë, derisa po blinte bukë në furrën e afërt, një mashkull e pyeti: “Sa e keni orën?”

Fillimisht nuk e kuptoi se për çka ishte fjala, megjithëse komentin e mashkullit gjerman e kuptoi pas pak minutash. Dhe, u shokua. Në bazë të dukjes së jashtme dhe mënyrës së veshjes, mashkulli mendoi se para vetes kishte një prostitutë.

Plot gaz këtë anekdotë fillimisht ia tregoi shumëkujt. Por, kur edhe në fakultet, dhe në kohën sa po kërkonte punë, vërejti se sa çuditshëm po e shikonin dhe sa joseriozisht po e trajtonin njerëzit, Tzvetelina Kreutzer erdhi në përfundim se urgjentisht duhej të ndërronte diçka.

“Jo vetëm stili dhe theksi im bullgar, por edhe tregimet për tregtarët që në Gjermani sjellin vajza nga lindja, për t’i detyruar në prostitucion, qartazi që e bënë të veten. Të gjithë kishin paragjykime për mua. Pra, s’më mbeti gjë tjetër pos adaptimit”, tregon bullgarja e re.

Kreutzer ndërkohë përfundoi studimet në shkencat euro-lindore dhe ato nga linguistika latino-amerikane, dhe shkroi një sërë tekstesh për stereotipet dhe paragjykimet. Sipas saj, paragjykimet shpeshherë janë një dukuri normale dhe e shëndoshë, por mund të jenë edhe të dëmshme dhe të rrezikshme. “Nëse ato imponohen nga shoqëria dhe nëse dikush s’është aq i shkolluar, atëherë ekziston rreziku i izolimit mental, si pasojë e paragjykimeve automatike”, thotë sot ajo.

Rregullat e veshjes në punë

Megjithatë, shpeshherë nuk kemi të bëjmë vetëm me paragjykime, por me dallimet kulturore në stilin e veshjes – para së gjithash tek femrat. Në disa shtete bie në sy theksimi i vijave të caktuara trupore, ngase kjo konsiderohet më joshëse dhe më femërore; përderisa në shtetet tjera ky stil, “paksa më i lirë”, s’është i popullarizuar, dhe s’preferohet fare.

“Për shembull, kur flasim për stilin e veshjes në vend të punës, në Gjermani mbizotëron stili klasik; me fund deri në gjunjë apo nën ta –por, assesi mbi”, thotë Nadine Thomas, udhëheqëse e Institutit të Modës në Berlin. Sipas saj, është shumë me rëndësi që dukja e jashtme e femrave të krijoj përshtypjen e një personaliteti serioz.

Çka është femërore, e çka jo?

Tzvetelina Kreuzer mendon se në shtete të caktuara vërtet ekzistojnë dallime sa i përket perceptimit të feminitetit.

“Kur një femër nga Europa Lindore ose Amerika Latine e thekson trupin e saj përmes veshjes, ajo nuk sheh asgjë të keqe në këtë punë. Ajo nuk turpërohet nga trupi dhe gjinia e saj. Por, femrat në Gjermani mendojnë se duhet të vishen më tepër si meshkuj, e madje, edhe duhet të mendojnë si ata”, thotë ajo, derisa shton se, megjithatë, edhe ato “tani po vishen më si femra dhe po shfrytëzojnë makijazh më të fortë”.

Nadine Thomas nuk pajtohet, ngase, përkundër thjeshtësisë dhe klasikes, që mbizotërojnë në stilin e femrave gjermane, ato sigurisht që nuk dëshirojnë të fshehin feminitetit e tyre - përkundrazi. Madje, sipas saj, krijues i elegancës së thjesht konsiderohet vetë ish-mjeshtri i modës, Christian Dior. Thomas nënvizon se, shembulli më i mirë i veshjes së meshkujve dhe fermave në Europë janë italianët.

“Ata dinë të vishen në mënyrë elegante, por edhe të relaksuar. Ata, për dallim nga gjermanët, gjithmonë mbathin këpucë të përkryera”, shton Nadine Thomas.

Përvetësoi ‘stilin gjerman’

Por, prejse jeton në Gjermani, Tzvetelina Kreuzer ka ndryshuar stilin e saj të veshjes. Stili i saj tani është “më i matur dhe më diskret”, njësoj sikurse edhe makijazhi. Kur së fundmi e vizitoi Bullgarinë, nëna e saj u shokua nga dukja e saj e re. Sepse, stili i ri i Kreuzer – me një palë xhinse, një fanellë të thjeshtë, dhe me një palë atlete në këmbë – nuk përputhej fare me pamjen e zakonshme të një femre bullgare.

“Arsyeja pse fermat nga ish-shtetet komuniste ende përdorin shumë makijazh është se atje dikur s’kishte mjaft makijazh, e as veshje të llojllojshme. Të gjitha bliheshin përmes kanaleve ilegale. Makijazhi i fortë ishte njëra prej mënyrave për të theksuar individualitetin dhe për të futur ndonjë nuancë të re në jetë. Ky zakoni mbeti edhe sot, edhe pse tani mund t’i blesh të gjitha”, thotë Kreuzer.

DW

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›