Pas Irakut, si do të dalim nga Afganistani?

Gjenerali John Allen këmbëngul se ka një mospërputhje mes tij dhe presidentit Obama për sa i përket politikës së ndjekur për tërheqjen e vazhdueshme të trupave nga Afganistani vitin e ardhshëm. Teknikisht kjo mospërputhje mund të qëndrojë, por një betejë e tillë politike po ndikon mbi ritmin e ardhshëm të tërheqjes së ushtrisë amerikane. Allen, Komandant i Trupave Amerikane në Afganistan, shprehet se Shtëpia e Bardhë nuk i ka caktuar asnjë afat kohor për zvogëlimin e më tejshëm të trupave që pas shtatorit. Një gjë e tillë ka ndodhur që kur Obama urdhëroi tërheqjen e 30.000 trupave, duke lënë rreth 68.000 ushtarë amerikanë.
"Që prej fundit të shtatorit, askush nuk ka dërguar një numër të caktuar mbi tërheqjen e trupave deri në 2013, u shpreh Allen në një intervistë të martën. Ai tha se politika e presidentit, me sa kupton ai, është një "strategji-bazuar mbi tërheqjen e trupave sipas situatës në terren, më tepër se në bazë të një afati kohor apo strategjie të paracaktuar.
Debati ka lindur pikërisht për këtë çështje. Sipas zyrtarëve të Pentagonit, Allen favorizon mbajtjen e pjesës më të madhe të 68.000 trupave në vend deri nga fundi i vitin 2013 për të mbështetur trupat afgane para se t’i lënë atyre përgjegjësinë e plotë në 2014. Por
Zv/presidenti Bajden dhe disa zyrtarë të tjerë të administratës, deri në fushatën elektorale të vitit të ardhshëm kërkojnë një angazhim të një tërheqje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme të trupave. Allen tha se "një tërheqje më e shpejtë e trupave do të arrihej vetëm në rast se këtë do ta lejonin kushtet ushtarake por sipas tij nuk ka një “rrugë të shtruar për të kaluar lehtë mbi të”. Por në Shtëpinë e Bardhë disa mund të mos ishin dakord.
A nuk ju tingëllon e njohur kjo gjë? Kjo situatë të kujton kundërshtitë që pati vendimi që mori Obama në dhjetor 2009, për të dërguar më shumë trupa, por që më pas filloi tërheqjen e tyre në korrik 2011 - edhe debati i këtij vit është pak a shumë i njëjtë, se sa shpejt duhet të kthehen në shtëpi 30.000 trupa. Obama mund ta zgjidhë lehtë këtë çështje, duke ia lënë vendimmarrjen komandantëve të këtyre trupave. Por, për Obamën, në Afganistan asgjë nuk është e lehtë.
Pas çështjes së tërheqjes së trupave fshihen disa ndryshime strategjike interesante, por që janë pikasur shumë pak, ndryshime që Allen ka hartuar që me marrjen e detyrës në Afganistan nga gjenerali David Petraeus në korrik. Në thelb, Allen dëshiron të përshpejtojë transferimin e përgjegjësisë tek trupat afgane në disa rajone kryesore - duke preferuar të marrë përsipër këto rreziqe më shpejt, duke pasur më tepër trupa në dispozicion. Këto ndryshime të Allen prekin edhe planin e tranzicionit: Ai ka shkurtuar këtë proces dhe e ka ngarkuar atë. Në fazën e fundit, sipas deklaratave të muajit të fundit, ai përfshiu qendrat e krahinës së Ghazni dhe Vardak; ndërsa faza e ardhshme, në pranverë, mund të përfshijë krahinat e paqëndrueshme Nuristan dhe Kunar, që ndodhen në kufirin pakistanez, si dhe provincat Helmand dhe Kandahar, dy fushëbeteja kyçe në jug. Nga mesi i 2013, përgjegjësia mund të transferohet tek autoritet vendase në krahinat Paktia, Paktika dhe Khost, tri pika të nxehta në kufirin lindor të njohur si "P2K." "Askush nuk e di se si do të shkojnë punët pasi trupat afgane të marrë drejtimin në dorë", shpjegon një komandant amerikan. "Ajo çfarë duhet janë trupa të mjaftueshme për të mbështetur rikthimin e besimit te trupat afgane, në mënyrë që ata të mos humbasin besimin në vetvete." Një arsye që tregon se kjo është e mundur, thotë ai, është se siguria është përmirësuar këtë vit në jug të Afganistanit, ku një tjetër komandant shprehet se sulmet janë rreth 8 për qind më të pakta krahasuar me një vit më parë. Kjo lejon që të transferohen më shumë forca amerikane në lindje, ku lufta është më e vështirë.
Në një takim të mërkurën në Kandahar, oficerë amerikanë pohuan duke thënë se në krahinat jugore të Oruzgan, Zabul dhe Kandahar siguria ishte përmirësuar - dhe se trupat afgane kishin pasur një performancë më të mirë. Megjithatë raporte të tilla optimiste ndonjëherë kanë treguar se kanë qenë të parakohshme. Por, gjenerali Ray Odierno, shefi i stafit të ushtrisë së SHBA, tha pas takimit: "Mendoj se ushtria afgane dhe policia po bëjnë progres dhe në disa pjesë kanë filluar të marrin rolin udhëheqës."
Po në lidhje me talebanët? Ata duket se kanë pasur një “2011” të vështirë, por raportet e inteligjencës tregojnë se ata janë duke bërë plane për të marrë kontrollin e disa krahinave pas vitit 2014, në pritje që forcat afgane nuk do të jenë aq të forta sa për t’i ndaluar ata.
Një lehtësi për talebanët është se qeverisja është shumë e dobët në pjesën më të madhe të Afganistanit. Kjo është hallka më e dobët e strategjisë amerikane - dhe një problem të tillë edhe më optimistët nuk e kontestojnë dot. "Që kur Gjenerali Allen mori këtë detyrë, atij i duhet fleksibilitet për të vënë në jetë strategjinë e tij", argumenton Odierno. Por kjo është në dorën e Obamës nëse do të pranojë një fleksibilitet të tillë, "një tërheqje trupash bazuar në një strategji " apo të zgjedhë një afat kohor më të shpejtë - me apelin e tij politik për një Amerikë të lodhur nga luftërat. Ndjesia ime është se Obama duhet të dëgjojë komandantin e tij në fushëbetejë - sidomos kur duket se ai po përshpejton procesin që do të lejonte tërheqjen e trupave amerikane deri në 2014.
...