Pas Marinzës shkrihet Ballshi, 4 mijë naftëtarë në rrugë brenda vitit 2010
Privatizimi i kompanisë gjigande të prodhimit dhe përpunimit të naftës Albpetrol, i cili lidhet ngushtë me interesa personale të ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Dritan Prifti, pritet të nxjerrë në rrugë mbi 4 mijë punonjës. Vetëm gjatë muajit mars, me mbylljen e Ndërmarrjes së Prodhimit të Naftës Marinëz, kanë dalë të papunë mbi 2 mijë punonjës.
Por burime brenda Sindikatës së Pavarur të Naftës pohojnë për gazetën SOT se mbyllja e ndërmarrjes së Marinzës do të pasohet brenda këtij 6 mujori me mbylljen e ndërmarrjes së Ballshit dhe brenda vitit 2010 me mbylljen e dy ndërmarrjeve të tjera që janë ajo e Sheqishtës dhe Patosit. Kjo do të thotë se në kohën që pritet të mbyllen këto ndërmarrje prodhimi, para tyre do të mbyllen ndërmarrje të tjera të prodhimit të naftës siç janë prodhim Gorrishti, Kuçova si dhe ndërmarrja e gazit. Albpetrol është një kompani shtetërore në të cilën deri para pak ditësh rezultonin të punësuar rreth 4100 punonjës. Por, duke pasur parasysh skemën e falimentimit që ministri Prifti po përdor për ta shitur sa më lirë këtë kompani pranë klanit të tij, mbyllja e ndërmarrjes së Marinzës rreth 5 ditë më parë shënoi 2 mijë punonjës më pak. Ndërsa brenda vitit, pritet që edhe këta 2 mijë punonjës që kanë mbetur, ti shtohen armatës së të papunëve. Largimi i punonjësve është konfirmuar edhe nga drejtues Albpetrol, gjatë analizës një vjeçare të kësaj kompanie zhvilluar dy ditë më parë. Drejtues të Albpetrol kanë pohuar gjatë analizës se me implementimin e strategjisë së re të privatizimit, një pjesë e mirë e punonjësve të naftës do të lënë vendet e punës.
Marinzës i vihet dryni
Mbi 2 mijë punonjës të Ndërmarrjes së Prodhimit të Naftës Marinëz i janë shtuar armatës së të papunëve në Fier. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Dritan Prifti ka urdhëruar mbylljen e Ndërmarrjes së Prodhimit të Naftës Marinëz, për pasojë 2 mijë punonjës të kësaj ndërmarrjeje, prej disa ditësh figurojnë të papunë. Lajmi konfirmohet nga shumë punonjës naftë të kësaj ndërmarrje. Naftëtarët pohojnë se pak ditë më parë, drejtori i Ndërmarrjes së Prodhimit të Naftës Marinëz u ka komunikuar shefave të 8 reparteve, pesë sektorëve të nxjerrje së naftës, një të shërbimeve, ofiçinës, dekantimit, urdhrin e drejtorit të vetë Muratit që asnjë punonjës nga data 1 mars nuk do të jetë në punë. Sipas këtij urdhri, punëtorët do të qëndrojnë në shtëpi dhe do të paguhen me 50 % të rrogës deri në një urdhër të dytë se çfarë do të bëhet me ta. Marinza ka falimentuar, është mbyllur!, u ka thënë ai vartësve të vet të cilët këtë urdhër e kanë transmetuar tek punonjësit më të thjeshtë. Kështu, rreth 2 mijë punonjës kanë mbetur në rrugë të madhe, pasi rroga e tyre ishte e vetmja e ardhur në familjet e tyre. Nuk e dimë se çfarë do të bëhet me ne, kemi 35 vjet në naftë. Kemi mbajtur familjet me bukë, u rritëm me naftën, ka pohuar për gazetën, Demiri, një naftëtar me përvojë shumë vjeçare në naftë, i cili ka mbaruar teknikumin e naftës që në 1972 dhe që nga ajo kohë ka punuar në naftë. Na hodhën në rrugë, skemi me se të mbajmë familjet. Sheikët e naftës po blejnë ekipe futbolli anglezë, ndërsa shteti shqiptar po ua shet naftën të huajve. Shesin kuzhinën e na kanë lënë dhomat, por ku do të gatuajmë ne që të mbajmë familjet, ka pohuar Syrjai, një tjetër naftëtar i vjetër. Pas kësaj ngjarje, ku mbetën në mes të një udhëkryqi të madh ekonomik, ata nuk dinë si të veprojnë. Greva apo protesta ata nuk mund që organizojmë, pasi siç pohojnë dhe vetë, edhe ata drejtues sindikatash që kishin, drejtoria e Albpetrolit i pozicionoi shefa kuadri në ndërmarrje të tjera, ndërsa fëmijët ua futi në punë në administratë të Albpetrolit dhe nuk ndihën më. Ndërmarrja e Prodhimit të Naftës Marinëz është e para e llojit të saj dhe më e madhja për nga fuqia punëtore. Por prej pak ditësh, ajo është kthyer në një ndërmarrje gërmadhë, sikur të mos kishte ekzistuar asnjëherë, dhe kjo vetëm për qëllime personale të ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Dritan Prifti.
Ulja e qëllimshme e prodhimit në Albpetrol
Sipas shifrave të dhëna nga inxhinierë e specialist të kësaj kompanie mësohet se në vitin 2005 në ditë prodhohej 1100 tonë naftë në 24 orë në total, tashmë ky prodhim është disa herë më i ulët. Ata pohojnë se ndërmarrja e prodhimit të naftës Shqeishte nga 200 tonë në 24 orë në vitin 2005 ka arritur që të nxjerrë 110 tonë naftë në 24 orë, po kështu edhe prodhim Patosi nga 135 tonë naftë në 24 orë në vitin 2005 ka arritur që të prodhojë 35 tonë në 24 orë, Marinëza po shkon drejtë shkrirjes si ndërmarrje. Ndërkaq specialistët pranë Albpetrol kanë pohuar se puset që kanë pasur prodhimtari të lartë u janë dhënë firmave të huaja të nxjerrjes së naftës. Momentalisht ndërmarrja e nxjerrjes së naftë në Marinzë nxjerr 20 ton naftë në 24 orë ndërkohë që në vitin 2005 në 24 orë nxirreshin 280 tonë naftë bruto. Në këtë zonë, puset që kanë prodhimtari u janë dhënë firmave të huaja. Puset nuk janë dhënë në bazë të PPE-së (prodhimi para ekzistues) dhe në këtë drejtim nuk ka faj vetëm drejtoria e kompanisë Albpetrol por edhe Ministria dhe qeveria. Puset që momentalisht kanë prodhimtari nuk duhet që tu jepen për shfrytëzim firmave të huaja që operojnë në këtë aspekt, pohojnë inxhinierët e specialistët e naftës. Të huajt që kanë një teknologji më moderne duhet që të marrin puset me prodhimtari të ulet e ti bëjnë ata rentabël, pra tu risin prodhimin, thanë ata. Ky është defekti kryesor në menaxhimin e vendburimeve të nxjerrjes së naftës së Albpetrolit. Kjo dukuri është vënë re jo vetëm në Marinëz por edhe në Sheqishte, Ballësh e së fundmi edhe në Visokë.
Albpetrol po shkatërrohet qëllimisht
Lënia e kompanisë Albpetrol në gjendje të mjerueshme dhe shkatërrimin e mëtejshëm tregon qartë se kjo ndërmarrje po shkatërrohet qëllimisht në mënyrë që privatizimi të bëhet më i lehtë dhe ti ulet çmimi i privatizimit. Nga deklarimet e specialistëve të naftës, të cilët kanë mbi 25 vjet në këtë profesion vihet re qartë se tashmë çdo gjë po shkon drejt falimentit, drejt pikës zero. Nuk po i kushtohet rëndësi e veçantë shumë pikave kyçe, pohuan ata për gazetën. Ka disa kohë që po shfrytëzohen objekte pune të cilat janë jashtë kushteve teknike dhe rregullat e sigurimit teknik në punë. Pothuajse të gjithë puset që kanë kabinat elektrike janë me dhe pa dyer, me dhe pa kyçe gjë që mund të sjellë edhe vdekjen e ndonjë punonjësi apo banori të zonës. Puset janë të pa rrethuar. Edhe pse ky shqetësim është ngritur me dhjetëra e dhjetëra herë ata përsëri janë në atë gjendje. Kanë ndodhur aksidente në punë si dhe vdekje të banorëve të zonës dhe përsëri nuk është marrë asnjë lloj mase për zbatimin e rregulloreve. Mungesa e një trajtimi ashtu si duhet dhe parashikon rregullorja në punë ka bërë që jo vetëm banorë të zonës por edhe punonjës në sektorë të ndryshëm të kapen prej policisë duke vjedhur lëndë hollues për naftës bruto siç është solari. Vjedhja e tij (kjo lëndë holluese vjen një herë në javë) por edhe i kullave të puseve të nxjerrjes ka bërë që të ulet ndjeshme prodhimi i naftës bruto në ndërmarrje të kësaj kompanie. Ka pasur raste që kulla e pusit është vjedhur brenda një nate dhe është shitur për skrap, pohojnë inxhinierët e naftës.
Ndërmarrja shfrytëzohet për përfitime personale
Specialistët tregojnë me detaje mënyrën se si Albpetrol apo punonjësit e saj ndikojnë negativisht në këtë ndërmarrje, madje duke e shfrytëzuar atë edhe për përfitime private. Kompania e naftës Albpetrol ka dhënë në kompani të huaja që operojnë në këtë sektor në Marinzë puse të cilat kanë pasur prodhimtari të mirë në nxjerrje të naftës bruto. Marrja në dorëzim e atyre puseve bëhet pasi largohet kulla dhe pajisjet e tjera siç janë çipllaku dhe vulfi. Këto janë pjesë hekuri brum dhe kanë peshë shumë të madhe. Ato magazinohen ne ndërmarrje por kulla e cila është rreth 25 metra e gjatë lihet për tu marrë pjesë pjesë më vonë. Bashkëp