E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas Petrovcit, tronditen aktorët e Kosovës



Duket se deklaratat e aktorit Enver Petrovci për të braktisur teatrin e Prishtinës ka tronditur komunitetin teatror në Kosovë. Mediat kosovare e kanë komentuar këtë si ditë të vështira për aktorët. Sipas gazetës “Express”, artistët kosovarë kanë thënë se nuk ndihen të befasuar me veprimet e Enver Petrovcit, duke pasur parasysh rrethanat kosovare dhe trajtimi që i bëhet një aktori.

Paralajmërimi që ka bërë Enver Petrovci se e braktis Kosovën dhe vendoset në Tiranë, sepse ai këtu nuk mund të punojë dhe të realizojë ambiciet e tij si aktor, është komentuar nga mediat kosovare si një realitet i vështirë në të cilin është duke kaluar arti kosovar. Bëhet e ditur se artistët kosovarë të filmit dhe teatrit kanë shprehur solidarizimin me veprimet e Enver Petrovcit. Ata janë shprehur se nuk ndihen të befasuar me veprimet e Enver Petrovcit, duke pasur parasysh rrethanat kosovare dhe trajtimi që këtu i bëhet një aktori. Por artistët kosovarë janë futur edhe në krizën e pasigurisë se edhe shumë të tjerë mund të ndjekin këtë rrugë, pra të largohen.

Për mediat kosovare janë prononcuar regjisori Jeton Ahmetaj dhe Jeton Neziraj, duke u përpjekur të shikojnë këtë realitet ashtu siç është në të vërtetë, por kanë komentuar pa rezerva qëndrimin e Petrovcit si një e drejtë e tij, për atë çka meriton të jetë në Kosovë. "Paramendojeni kur një personaliteti si Petrovci i ndodh një zhgënjim i tillë, çfarë do të ndodhë me të tjerët, posaçërisht me të rinjtë", - ka thënë regjisori Ahmetaj.

Ndërsa dramaturgu Jeton Neziraj tha se duhet të kemi të qartë se Kosova nuk i ka ofruar vendin e merituar Enver Petrovcit. Sipas tij, revolta e aktorit tonë të njohur është revoltë të cilën artistët kosovarë po e shprehim përditë në mënyra të ndryshme. Fajtor për një gjendje të tillë, sipas Nezirajt, është mentaliteti i krijuar për artistët.

Reshat Sahitaj është shprehur se Kosova nuk di t'i vlerësojë figurat për së gjalli. Vetëm pas vdekjes, ne krenohemi që ata ishin në mesin tonë. "Mosrespektimi dhe mosmirënjohja nga ana e institucioneve të bën të heqësh dorë nga shumë gjëra", - ka thënë Sahitaj. Aktori dhe dramaturgu Ilir Muharremi ndonëse i ka dhënë të drejtë Petrovcit për denoncimin e situatës aktuale në teatrin e Kosovës, është shprehur me rezerva për veprimin e aktorit për të braktisur vendin, duke e quajtur atë të paarsyeshëm. Për teatrin tonë, në Tiranë, ky mund të jetë një shembull i kundërt me situatën e Kosovës. Edhe po erdhi Petrovci në Tiranë, ai duhet të nisë kërkimet për pak frymë liberale në teatrin e Tiranës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›