Eagle Mobile në 10 muaj numëron 300 mijë klientë
Eagle Mobile, operatori i tretë celular në vend, ka arritur që në vetëm 10 muaj nga momenti i futjes në tregun shqiptar, të regjistrojë tashmë plot 300 mijë klientë.
Sipas burimeve zyrtare të kësaj kompanie, tashmë sinjali është i shtrirë në pothuajse gjithë territorin e vendit, duke arritur të kapin 11 për qind të tregut të telefonisë së lëvizshme. "Shërbimet tona mbulojnë rreth 97 për qind të popullsisë dhe 91 për qind të territorit. Numri i klientëve Eagle Mobile ka arritur në më se 300 mijë", - thanë burimet.
Ndërkohë, ato sqaruan se paralelisht është punuar edhe për shërbimin roming, i shtrirë tashmë në më se 200 vende të botës. Së fundmi, Eagle Mobile ka fituar të drejtën për t’u ofruar shërbime edhe një sërë institucionesh shtetërore. Kompania Eagle Mobile, pjesë e grupit turk Çalik, po punon edhe në drejtim të përgjegjësive sociale, duke u bërë thirrje më se 30 bizneseve të tjera në vend që së bashku të ndihmojnë sadopak jetimët shqiptarë.