Londër, 80 vrasës shqiptarë me nënshtetësi britanike
Prençi: Gjykatat britanike, pengesë për ekstradimin e kriminelëve shqiptarë. 80% e tyre kanë fituar azil në Angli, duhet të ndëshkohen për krimet që kanë kryer. Ministria e Brendshme britanike: Vetëm një pjesë e listës ndodhet realisht në Angli. Po vëzhgohen
Të paktën 80% e kriminelëve shqiptarë fshihen në Angli dhe ky shtet nuk po i ekstradon. Në një artikull të botuar dje online, “Daily Telegraph” i referohet një deklarate që drejtori i përgjithshëm i Policisë Shqiptare, Ahmet Prençi, ka bërë dy net më parë ku ankohet se gjykatat britanike po pengojnë përpjekjet e vendit të tij që kriminelët të ekstradohen në Shqipëri. Shumë nga këta kriminele shfrytëzojnë sistemin e azilit për të fituar edhe shtetësi britanike, ndërkohë që kanë hyrë ilegalisht në këtë shtet. “Ne kemi një listë shqiptarësh që fshihen në Britaninë e Madhe. Janë 100 kriminelë dhe më shumë se 80% e tyre kërkohen për vrasje dhe janë dënuar në mungesë”, - citohet të ketë thënë drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi. “Atyre, madje, u është garantuar shtetësi britanike, pavarësisht kërkesave të autoriteteve shqiptare për ekstradimin e tyre për të vuajtur dënimin në Shqipëri”, - citon e përditshmja angleze “Daily Telegraph”. Aktualisht, Home office, ose Ministria e Brendshme britanike, është vënë në dijeni për identitetin dhe të dhënat e këtyre personave. Shumë prej tyre janë regjistruar si refugjatë gjatë luftës në Kosovë, por problemet që kanë pasur gjykatat britanike për të gjetur përkthyes e psikologë kanë vonuar procedurat ligjore për këta persona. “Ne jemi të pakënaqur që gjykatat angleze vazhdimisht refuzojnë ekstradimin e këtyre kriminelëve. Nuk ka asnjë arsye që një qytetar shqiptar, i cili ka kryer një krim, nuk duhet të ndëshkohet”, - citohet të ketë thënë drejtori i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi.
Reagimi nga Britania
Grupe të aktivistëve shpjegojnë këtë me sistemin e dështuar britanik të azilit. Sër Endrju Grin i organizatës “Migration Watch” thotë se është shqetësuese kur kriminelët përfitojnë kaq lehtë azil në Britani. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme britanike thotë: “Vetëm një fraksion i listës së atyre kriminelëve që Shqipëria mendon se ndodhen në Britani, realisht jetojnë këtu. Këta persona janë në listën e vëzhgimit dhe në kompjuterat e policisë. Madje shumë prej tyre janë në procese gjyqësore të ekstradimit”. Qeveria britanike thekson se ajo që ka ndodhur dhjetë vite më parë, nuk mund të ndodhë më, pasi tani janë forcuar rregullat për të mos lejuar hyrje ilegale në Britani. Çdo vizë që jepet tani ka shenjat e gishtërinjve të aplikantit. Ne nuk do të tolerojmë të abuzohet me sistemin e emigracionit. Nëse dikush ka marrë shtetësinë 10 vjet më parë, duke u paraqitur si qytetar i një shteti tjetër, ligji na lejon t’ia heqim shtetësinë dhe ne do ta bëjmë”, - mbyll fjalën e tij zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme në Britaninë e Madhe.