Pas “Presidentit”, detyrë e politikës janë reformat e integrimit

Apeli i Barrosos dy ditë më parë: Duhet konsensus politik dhe institucional për reformat
Parlamenti mund të shfrytëzojë 6 javë në dispozicion për të përmbyllur reformat që Bashkimi Europian ka vënë si kushte për statusin e vendit kandidat. Mesazhi i BE u ritheksua dhe nga presidenti i KE-së, Barroso i cili theksoi se pas zgjedhjes së presidentit duhet konsensus politik dhe institucional për reformat. Kontaktet e para të palëve nuk kanë sjellë ende asgjë të re, ndërsa opozita përmes kreut të saj, ka ritheksuar disa herë bindjen e tij se Shqipëria nuk do ta marrë statusin pasi nuk zgjodhi president Konsensual. Mazhoranca ka saktësuar të kundërtën, duke deklaruar se presidenti u zgjodh në mënyrë kushtetuese dhe përmes një procesi gjerësisht të negociuar, ku opozita refuzoi të jepte konsensus. Pas zgjedhjes së Presidentit, ajo që s’mund të parashikohet është roli i opozitës në procesin e realizimit të reformave. Kërcënimi ka qenë konsistent gjatë periudhës së “nxehtë” dhe debatit për kreun e ri të shtetit. Edi Rama është shprehur gjërë e gjatë në editoriale, cicërima në Tëitter si dhe në deklarata për shtyp, se duke minuar konsensusin, mazhoranca “minon” statusin e kandidatit edhe për këtë vit. Përballë presionit të ndërkombëtarëve, por edhe faktorit të brendshëm, 6 javët e ardhshme janë vendimtare për reflektimin politik të PS-së dhe rikthimin e saj në binarët e dialogut të reformave. Dhe s’do mend të kuptohet se, reforma zgjedhore, ajo parlamentare dhe heqja e imunitetit vazhdojnë të mbetet paketa të kushteteve të statusit kandidat, në provimin e vjeshtës më 12 tetor të këtij viti.
PS kërkon të djegë afatet, e cilëson të dështuar reformën parlamentare/Nënkryetari socialist i Kuvendit Namik Dokle akuzoi dje mazhorancën se nuk ka vullnet të japë konsensus për mbylljen e reformës parlamentare. Në një prononcim të tij, për mediat, Dokle tha dje se kjo reformë, ashtu si edhe ajo zgjedhore është ndër kushtet e vendosura edhe nga Bashkimi Evropian për marrjen e statusit të vendit kandidat. Sipas bashkëkryetarit të grupit të punës, tani është koha që palët të ri-takohen, pas kambanave të alarmit që vijnë nga ndërkombëtarët. “Fryma që kërkohet të dominojë në politikën shqiptare, fryma e reformave që kërkohet nga BE dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mendoj që të jetë një kambanë e fortë edhe për mazhorancën në mënyrë që të ulemi dhe ta përfundojmë edhe këtë reformë. Reforma parlamentare në asnjë rast dhe në asnjë mënyrë nuk mund të ndahet nga reforma zgjedhore, që është një reformë prioritare përsa i përket veprimit të Parlamentit”, deklaroi dje, Dokle. Sipas nënkryetarit socialist të Kuvendit, “pjesa më e madhe e reformës tashmë është zgjidhur”. Por, shtoi ai, “kanë mbetur ato dy pika që ju i dini: votimi i fshehtë dhe e drejta e fjalës së opozitës në Parlament, në bazë të të gjitha kritereve, parimeve dhe standardeve të Bashkimit Europian. Mazhoranca ende nuk ka dhënë konsensus për këtë”. Komisioni për rregulloren e mbylli punën disa muaj më parë pa mundur t’i çojë një dokument për votim Parlamentit. Demokratët e quajtën të mbyllur reformën me përfundimin e mandatit të komisionit, madje firmosën dhe draftin që nuk mundi asnjëherë t’u përcillej deputetëve për miratim. Ndërsa për PS-në, kjo vijon të jetë një çështje e hapur. Sipas Dokles edhe faktori ndërkombëtar ka lëshuar kambanat për politikën shqiptarë për mbylljen e reformës zgjedhore dhe asaj parlamentare, si kushte për proceset integruese. Në deklaratat e fundit për median, para zgjedhjes së Presidentit, kryetari socialist, Edi Rama i renditi këto dy kushte, të cilat presin të mbyllen nga klasa politike shqiptare. Ai kërkoi zgjedhjen e Presidentit të Republikës me konsensus pozitë-opozitë, gjë që nuk u realizua e më pas kërkoi nisjen e procedurave për heqjen/kufizimin e imunitetit, dhe më pas Rama kërkoi edhe: “Të bëjmë kompromisin e nevojshëm për reformën parlamentare dhe ta votojmë bashkërisht. Të përmbyllim reformën zgjedhore dhe ta votojmë bashkërisht”. Me këtë thirrje, Rama ju drejtua disa herë mazhorancës, e cila i quajti këto presione të opozitës për zgjedhjen e Presidentit. Pas përmbushjes së këtyre pikave, Rama tha se atëherë, mazhoranca dhe opozita kanë të drejtën që të dyja së bashku t’i drejtohen Brukselit për t’i kërkuar edhe marrjen e statusit të vendit kandidat, gjë që kreu socialist tani e sheh me dyshim për tu realizuar.
...