E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas Ramës, edhe Berisha "Dialog me Shqipërinë"

Kryeministri Sali Berisha zbret në bazë për të folur për reformat e qeverisjes


TIRANË - Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se duke filluar nga kjo javë, ai do të ndërmarrë një seri takimesh në gjithë vendin për të paraqitur dhe njohur qytetarët shqiptarë me reformat, sipas tij, të realizuara nga mazhoranca qeverisëse gjatë këtij mandati të dytë qeverisës.


Kreu i ekzekutivit tha se do të zbresë në bazë, për të marrë gjithashtu edhe vetë sugjerimet e qytetarëve shqiptarë mbi reformat e kryera në vend, pasi, sipas Berishës, mazhoranca nuk qëndron e mbyllur në kutitë e votimit, duke nënkuptuar me këtë, bojkotin gjashtë mujor të opozitës.


Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, numri një i qeverisë, vuri në dukje se seria e takimeve në bazë do të përmbajë edhe paraqitjen e rezultateve konkrete të procesit të liberalizmit të vizave me vendet e Bashkimit Europian.


"Këto takime dhe ky dialog me qytetarët shqiptarë kanë për qëllim kryesor: paraqitjen e reformave të qeverisë para tyre, tërheqjen e mendimit dhe sugjerimeve të tyre, njohjen e qytetarëve shqiptarë me veprimtarinë intensive të mazhorancës, e cila kurrë, në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë, nuk ka qëndruar e ngujuar në kuti. Tjetër është kutia, tjetër janë reformat, të cilat këto muaj kanë ecur më shpejtë se kurrë, në çdo fushë.


Është e domosdoshme të zhvillojmë dialog dhe debat me qytetarët shqiptarë të të gjithë spektrit politik. Është e domosdoshme t'i njohim ata një për një me rezultatet konkrete, me përpjekjet për liberalizimin e vizave dhe suksesin e këtyre rezultateve",- tha dje Berisha.


Takimet që do të kryhen në bazë, sipas kreut të qeverisë, do përfshijnë kategori të ndryshme të shoqërisë duke nisur që nga rinjtë e deri tek të moshuarit, e veçanërisht pensionistët.


Sipas Berishës, qeveria që ai drejton i ka rritur pensionet më shumë se çdo qeveri që ka drejtuar vendin që para vitit 2005, ndërsa shtoi se as vendet e tjera nuk e kanë kryer rritjen e pensioneve.


"Ne duhet të shkojmë në çdo skaj të këtij vendi dhe të njohim me reformat, me rezultatet, me arritjet, me mosarritjet. Në tërësi, ne duhet të bëjmë një dialog të hapur me qytetarët shqiptarë, me të rinjtë, me të moshuarit, me pensionistët.


Është shumë e rëndësishme që të takohemi me pensionistët, sepse askush nuk ka bërë atë që kemi bërë ne për pensionistët",- u shpreh ai. Berisha tha gjithashtu se qytetarët duhet të njihen për kontrollin e integruar të kufijve si dhe reformat në shëndetësi që, sipas tij, do të vendosen praktika të reja për të shmangur parapagimin dhe ryshfetin në sistemin shëndetësor.


Ai përmendi se heqja e transportit për zyrtarët publik ka sjellë rezultate pozitive duke minimizuar shpenzimet, ndërsa shtoi se do të kryhet dixhitalizimi i provimeve për patentat e automjeteve. Ky tur dialogu i iniciuar nga Kryeministri Berisha i ngjan atij të dy viteve më parë të realizuar nga kreu aktual i opozitës, Edi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›