Rama: Hapja e kutive, për t'u mirëqeverisur

Në ditën e 8 Marsit, kryetari i PS-së tha se kriza ekonomike e vendit është shndërruar në një barrë të papërballueshme për gratë shqiptare
TIRANË - Duke uruar të gjitha femrat shqiptare për festën e "8 marsit", kryetari i opozitës, Edi Rama, theksoi se gjendja dhe roli i gruas sot në shoqërinë shqiptare nuk është në nivelin e duhur, si pasojë edhe të deformimit të vullnetit të popullit në zgjedhjet e kaluara të 28 Qershorit. Për këtë arsye, sipas liderit të Partisë Socialiste, kriza ekonomike dhe politike është e lidhur drejtpërdrejt me gjendjen e rolin e gruas sot në shoqërinë shqiptare.
Zgjidhja e krizës politike përmes hapjes së kutive, sipas kryesocialistit Rama, është ajo që mund të ndryshojë cilësinë e qeverisjes, duke përmbysur raportin aktual të varësisë së qytetarit nga qeveria. "Kjo është arsyeja pse ato kuti lidhen drejtpërdrejtë qoftë me ato të drejta të munguara, qoftë me ato gëzime të mohuara, për të cilat flitet në 8 mars, dhe qoftë me atë krizë ekonomike që vazhdon të gërryej shoqërinë dhe familjen shqiptare.
Është e lidhur drejtpërdrejtë ajo që gjendet në ato kuti me atë që sot jetojnë qytetarët dhe pa ndryshuar fatin e kutisë së votimit, nuk mund të ndryshoj cilësinë e qeverisjes, sepse nuk mund të rivendosim raportin e varësisë së qeverisë nga qytetari, përkundrazi, do të vazhdojmë të zhytemi në batakun e varësisë së qytetarit nga qeveria", - tha dje Rama gjatë një konference për shtyp.
Sipas kryetarit të opozitës, nëse shqiptarët duan të mirëqeverisen, duhet që më parë të kryhet transparenca e procesit zgjedhor nëpërmjet hapjes së kutive, në të kundërt forma e qeverisjes mund të kthehet në një sundim ndaj zgjedhësve. "Në rast se duam të kemi një vend të mirëqeverisur duhet të bëjmë transparencën e atyre kutive, në mënyrë që më askush të mos guxojë, që vullnetin e zgjedhësit, ta kthejë në një sundim të të zgjedhurit.
Është e vetmja mënyrë për t'u mirëqeverisur. Mënyra tjetër është vetëm një mënyrë për t'u sunduar. Ne jemi këtu në PS, sepse nuk pranojmë të sundohemi dhe sigurisht sepse jemi të gatshëm që ta mirëqeverisim këtë vend ashtu siç nuk e bën dot askush tjetër", - u shpreh ai.
Rama hodhi poshtë pretendimet, sipas të cilave politika ka mbetur tek kutitë, ndërkohë që Shqipëria është në krizë. Sipas tij, rrënjët e krizës janë tek çështja e kutive të votimit, prandaj vëmendja politike është e përqendruar aty. "Politika ka mbetur te kutitë, sepse aty janë rrënjët e krizës.
Ato kuti nuk janë sende për pronësinë, mbi të cilat grinden dy palë, ne nuk kërkojmë ndonjë të drejtë prone, mbi ato sende dhe pala tjetër nuk i mban peng ato, sepse i konsideron si një pronë që nuk mund t'ia japë opozitës", - nënvizoi Rama.
Ai vlerësoi pjesëmarrjen e grave në jetën politike, por theksoi se kriza ekonomike e vendit është shndërruar në një barrë të papërballueshme për gratë shqiptare. "Janë nënat në çdo familje që përballen të parat me faturën e re të dritave apo ujit nën derë, që përballen me rritjen e përditshme të çmimit të ushqimit, sepse janë ato që duhet të gatuajnë dhe kursejnë për të nxjerrë muajin, ndërkohë që familja i sheh në dritë të syrit kur tavolina varfërohet nën efektet e krizës.
7 % u shtrenjtuan ushqimet vitin e shkuar, por të mos harrojmë që familjet shqiptare konsumojnë 40 % të të ardhurave për ushqim dhe këtu nuk janë familjet e varfra, që e konsumojnë vetëm për ushqim dhe që rritjen e ushqimin nuk arrijnë ta përballojnë as psikologjikisht, gjë që bën që të jetë jo më lajm për fat të keq", - tha Rama