Pas Suzukit tërhiqet edhe Subaru
Kriza botërore që është pasqyruar edhe në sportet e automobilizmit ka prekur edhe Botërorin 2009 në Rally. Për shkak të problemeve ekonomike, pas Suzukit nga aktiviteti largohet edhe Subaru. Lajmi është bërë zyrtar gjatë ditës së djeshme nga "Fuji Heavy Industries", prodhuesja e makinave Subaru. "Prej krizës ekonomike, biznesi ynë është transformuar në mënyrë dramatike", shpjegonte në një deklaratë për shtyp shtëpia prodhuese, që në 19 vjet pjesëmarrje në Rally ka fituar tre tituj për konstruktorë dhe tre për pilotë. "Kjo është arsyeja përse ‘Fuji Heavy‘ vendosi të tërhiqet në mënyrë të menjëhershme nga Botërori Rally". Ndërkohë, rreth këtij vendimi, kreu i "Prodrive", David Riçards deklaroi: "Bëhet fjalë për një humbje të madhe. Subaru është një ikonë e këtij sporti, aty janë formuar kampionë si Kolin MekRi dhe Riçard Bërns. Mbyllet një kapitull 20-vjeçar bashkëpunimi".